Arbëri

Gërgi: Përfaqësuesi i UNMIK-ut në OKB iu referua Banjskës si incident serioz i sigurisë

Besar Gërgi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike derisa ka folur për seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që po mbahet sot, ka thënë se përfaqësuesi i UNMIK-ut në OKB, sulmit të para dy vjetëve në Banjskë të Zveçanit iu referua si incident serioz i sigurisë.

Sipas tij, kjo nuk është mënyra e duhur të përshkruhet ngjarja që ka ndodhur në shtator të 2023-tës aty.

“Nga përfaqësuesi i UNMIK-ut dëgjuam disa gjëra jo fort të këndshme, duke iu referuar rastit të Banjskës tha se ka pasur një incident serioz të sigurisë, që nuk është absolutisht mënyra adekuate të përshkruhet ajo që ndodhi aty, por gjuha ka qenë ajo që përgjithësisht përdoret nga UNMIK-u, pra që flet për ulje të tensioneve dhe bashkëpunim. Nga përfaqësuesi serb, ministri i jashtëm Gjuriq dëgjuam akuzat e njëjta se po bëhet shkelje sistematike e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe se Serbia do të kujdeset për ta, ndërsa ministrja e jashtme e Kosovës pak a shumë u mundua që ta kundërshtojë këtë narrativë, duke thënë se Kosova është vendi më demokratik në rajon dhe se i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve nuk kemi parë diçka jashtë normales”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Gërgi ka shtuar se mungesa e komunikimit të diplomacisë së Kosovës me faktorin ndërkombëtar është çështje serioze, teksa ka bërë krahasim edhe me diplomacinë dhe lobimin e Serbisë. 

“Serbia që nga fillimi i luftës në Ukrainë nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, por ka një diplomaci dhe lobim shumë aktiv dhe në këtë mënyrë deri më tani ka mund t’i shmangë sanksionet, ndërsa ne jemi nën masa” , ka thënë ai. 

Teksa ka folur për masat e BE-së ndaj Kosovës që janë ende në fuqi dhe ndikimin e tyre, ai ka thënë se ndihma e bllokut ka qenë e përqendruar kryesisht në fusha si sundimi i ligjit, arsimi e shëndetësia. 

“Ndihma e Bashkimit Evropian në Kosovë ka qenë e përqendruar në shumë fusha të qeverisjes, por kryesisht ka qenë në sundim të ligjit, në arsim, shëndetësi etj. Instituti GAP ka publikuar një analizë për projektet e pezulluara për shkak të masave, aty thuhet se kapin një shifër rreth 600 milionë. Por, po flasim për fonde të pezulluara, nuk janë të gjitha të humbura për Kosovën. E gjithë puna duhet të fokusohet në atë që të evitojmë kostot e ardhshme”, ka theksuar ai. 

Gërgi i ka fajësuar tërësisht institucionet e Kosovës për mospërfitim nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor. 

“Kur flasim për Planin e Rritjes, këtu faji është i gjithi i institucioneve të Kosovës sepse deri më tani nuk kemi arritur t’i ratifikojmë dy marrëveshjet e duhura për të përfituar nga parafinancimi prej 62 milionë eurosh, vetëm dy marrëveshje do të duhej Kuvendi që t’i ratifikonte dhe ne brenda javës do të merrnim këto të holla. Vendet e rajonit veçse kanë filluar t’i marrin këto mjete, këtu faji është plotësisht i yni”, ka thënë ai.