Gazetari i KOHËS, Fitim Gashi ka thënë se deri më tani votat janë të sigurta vetëm për Qeverinë "Kurti 2", jo edhe për presidenten.
Në emisionin “DESKU” të KTV-së, Gashi ka deklaruar se ndryshimi është se deri më tani Kurti i ka vetëm 5 vota të sigurta prej komuniteteve ndërkaq shumica e deputetëve pakicë do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.
“Nga ajo që kemi parë, votat e sigurta janë vetëm për Qeverinë Kurti. PDK-ja dhe AAK-ja kanë dhënë qëndrime të qarta se nuk e përkrahin as qeverinë Kurti dhe as Vjosa Osmanin për presidente. Deri më tani Kurti ka vetëm 5 vota të sigurta prej komuniteteve. Ndërkaq shumica e deputetëve pakicë do ta votojnë Osmanin për presidente”, ka thënë Gashi.
Ai ka folur edhe rreth mundësisë që LDK-ja ta votojë Vjosa Osmanin për presidente, nëse deputetët që kanë shkuar në listën Vjosa kthehen në LDK.
“Nëse grupi parlamentar i LDK-së vendos ta përkrahë Osmanin, disa deputetë nuk do të japin votë pro zonjës Osmani si deputetët Agim Veliu e Driton Selmanaj. Kjo deklaratë do të thotë se nuk ka unitet Brenda LDK-së”, tha Gashi.
Ndërkaq gazetarja Saranda Ramaj duke folur për emrat e lakuar për postet ministrore në Qeverinë “Kurti 2” ka thënë se shumica prej tyre janë njerëz lojalë të Kurtit dhe persona që kanë kontribuar gjatë në Vetëvendosje.
“Janë emra lojalë të Kurtit, emra që kanë kontribuuar gjatë në Vetëvendosje. Përveç njërit duket se pjesa tjetër, nuk janë prurje të reja, janë njerëz që kanë qenë aktivistë të kahmotshëm të Vetëvendosjes. Pak a shumë, befasi ndoshta është lista e Vjosës duke pasur parasysh se ka hyrë në koalicion dhe mund të përfliten emra që tashmë kanë fituar mandatin e deputetit dhe nëse ata marrin pozita ekzekutive dikush tjetër kandidat i VV-së për deputet mund t’ua zërë vendin dhe mund të humbin ulëse në Kuvend”, ka thënë Ramaj.