Në kuadër të vizitës që po zhvillon drejtoresha regjionale e UNICEF-it në Kosovë, Afshan Khan, është pritur në takim nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe UNICEF-it.
Gashi ka vlerësuar lartë bashkëpunimin për përkrahjen që është dhënë nga UNICEF-i në shumë projekte. Ai ka informuar drejtoreshën e UNICEF-it për “hapat që ka ndërmarrë MKRS-ja për përmirësimin dhe avancimin e politikave dhe jetës së të rinjve në Kosovë”.
“Jemi në fazën finale të Strategjisë së re për Rini 2018-2022. Për herë të parë kemi themeluar një fond rinor për punësimin e të rinjve, me një vlerë prej 600 mijë euro si dhe kemi rritur buxhetin për subvencionimin e projekteve për të rinjtë”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
Ministri po ashtu ka njoftuar drejtoreshën e UNICEF-it se do të fokusohen në angazhimin e të rinjve dhe në informim më të madh për vullnetarizmin nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
Ndërkaq, sipas njoftimit nga MKRS, Khan është shprehur e gëzuar që ka avancim në fushën e rinisë në Kosovë sepse të rinjtë e Kosovës janë marrë si model në shtetin e Kolumbisë dhe Malajzisë.