Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk ka më asnjë dyshim se “Lëvizja Vetëvendosje ka plan bllokimin e institucioneve”.
Në një postim në Facebook, Gashi, ka përmendur edhe bllokimin e Kuvendit te pika e zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb.
“Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm. Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Gashi ka bërë thirrje për konstituim të Kuvendit, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se shumë shpejt e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional.
“Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional. Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës. LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”, ka shkruar Gashi.
E për bllokadën institucionale ka folur të mërkurën edhe kreytari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në takim me të dërguarin e Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz dhe ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
“Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, në këtë kontekst për sfidat me të cilat po përballet Kosova, nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste, si dhe qëndrimet e LDK-së, karshi kësaj situate. Kryetari Abdixhiku ritheksoi se LDK nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit, dhe se ata që e nisën këtë rrugëtim duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese dhe për rolin e saj të rëndësishëm në mbështetjen e integrimit evropian të vendit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.