Arbëri

Gashi nuk e përkrahë ndërrimin e emrit të "Shkollës së Gjelbër" në Prishtinë

Agim Gashi këshilltar i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka folur për ndërrimin e emrit të “Shkollës së Gjelbër” në Prishtinë.

Ai në emisionin "038" të KTV-së ka thënë se ndërrimi i emrit nga “Shkolla e Gjelbër” në “Remzi Salihu”, nuk është i duhur dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

Ai ka thënë nuk është dashur të lidhet emri i Remzi Salihut me këtë shkollë, sepse sipas tij, komuna do të ndërtojë edhe gjashtë shkolla të tjera, e që munden njërën nga shkollat ta emërojnë me këtë emër.

Ai thotë se Kuvendi nuk është kompetent të emërojë, por të propozojë.

“Kur është ndërtuar kjo shkollë është ndërtuar për shkak të veçorive të saj dhe për hir të respektit të investitorit, USAID, nuk është dashur të bëhet një propozim i tillë”, tha ai.

Ai thotë se nëse rikthehet në Kuvend një temë e tillë ai do të angazhohet që një vlerë e tillë të mos preket.

Ndërkaq duke folur për pushimin e edukatoreve në çerdhet e Prishtinës, ai ka thënë se nuk është mirë që në sezonin veror të mbyllen të gjitha çerdhet.

“Nuk është mirë të gjitha institucionet parashkollore të mbyllen në sezonin veror”, ka shtuar ai.

Ai thotë se pushimi nuk duhet t’i mohohet asnjë të punësuari derisa ka shtuar se nuk e kupton se si është përcaktuar pushimi dyjavor.

Lidhur me zgjedhjet në strukturën e pestë në LDK ai ka thënë se është pjesë e strukturës së degës por jo edhe kryetar dege.

Duke folur për konfliktin në zgjedhjet e Degës së Tretë ai ka thënë se përpjekjet për destabilizim janë të kota pasi partia është stabile.

Gashi thotë se është skeptik për kryerjen e punëve në komunë për tremujorin e dytë.

“Në vend se të ulen rekomandimet e auditorit ato sa vijnë e shtohen, kjo tregon se Prishtina po qeveriset në mënyrë të dobët dhe nuk pres ndonjë raport të mirë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq lidhur me Planin e Mobilitetit ai ka thënë se ky plan ende nuk është bërë dhe se është skeptik që qeverisja aktuale do të mundë ta zbatojë.