Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi – PDK-së: Nuk është momenti të dezinformohet, qytetarët e mbetur do të riatdhesohen ditëve në vijim

Zëvendësministrja në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ka reaguar ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, që sot kritikoi Qeverinë në detyrë se dështoi të riatdhesojë 75 për qind të qytetarëve të saj.

Gashi i ka quajtur dezinformata komentet që bëri sot deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Si duket disa persona e duan idenë e protagonizmit në kohë pandemie. Më e rëndësishmja e kësaj situate janë numrat dhe saktësia e tyre. Mendoj që nuk është momenti të dezinformohet. Prandaj, më lejoni të ju informoj që deri më tani sipas udhëzimeve të Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ambasadat e Kosovës fillimisht kanë bërë thirrje publike për të gjithë qytetarët që janë ngujuar jashtë Kosovës për t’u lajmëruar në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, ata/ato të cilët/cilat kanë interesim të riatdhesohen në Kosovë”, thotë Gashi në një postim të saj në Facebook.

Musliu: Qeveria dështoi me riatdhesimin e 75% të qytetarëve

Sipas saj, deri me sot janë adresuar 2,841 kërkesa për kthim në vend, ndërsa deri në këto momente janë kthyer rreth 1,482 qytetarë të cilët janë riatdhesuar përmes organizimeve të Qeverisë, me rreth 10 fluturime, 4 autobusë dhe vetura private.

“Pjesa tjetër në pritje do të kthehet në ditët në vijim. Ne kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët të cilët ende janë në pritje për kthim. Stafi i MPJD-së dhe diplomatët tanë janë duke punuar vazhdimisht në këtë drejtim. Çdo kritikë dhe sugjerim besoj që na ndihmon të përmirësohemi. Por, kërkoj që të jenë po aq zëra kritik e kërkues dhe njëherësh të gatshëm t’i ndihmojnë diasporës edhe për të drejtën e votës, pensionit, mësimit plotësues, dhe për angazhimin e tyre në politikëbërje...”, përfundoi zv.ministrja Gashi.