Arbëri

Gashi: Feja dhe kombi si trupi e shpirti

Pyetjes së shpeshtë dhe shumë të diskutuar se a duhet të vihet përpara kombi apo feja, hoxha Drilon Gashi, njëherësh studiues i fesë islame, në një intervistë për Rubikon të KTV-së i përgjigjet duke e krahasuar mishin dhe shpirtin e njeriut.

Sipas tij, këto të dyja janë një dhe nuk mund të ndahen e as të vendosen njëra para tjetrës.

“Vatani nuk është vetëm një copë tokë, sipas Kuranit. Në vatan janë varret e baballarëve dhe stërgjyshërve, varret e dëshmorëve, aty pushojnë qelizat, mishi dhe gjaku jonë, shpirti jonë. Sipas Zotit, ne jemi të lidhur me vatanin. vatani është krenaria ime, familja ime, e ardhmja ime, e kaluara ime. Është diçka e pandashme, trupi yt, qenia”, ka thënë ai.

“Feja është me qenë i mirë me njerëzit, me vatanin tënd dhe ndaj Zotit. Vetë pyetja është absurde. A duhet vënë përpara shpirti apo trupi? Të dyja janë të pandashme, nëse i këqyrë në këtë aspekt, trupi e ka rëndësinë e vetë sepse pa trupin ti nuk mundesh me pas as intelekt, por edhe trupi pa intelekt është i mangët. Njëra-tjetrën e plotësojnë”, ka thënë Gashi i pyetur nëse duhet vënë para feja apo kombi.

“Para se me qenë myslimanë ne jemi shqiptarë. A na ka krijuar zoti shqiptarë apo jo është çështje tjetër”, ka thënë ai më tej. “Kombi dhe feja shkojnë paralel. Asnjëra nuk shkon para tjetrës. Qysh ka mundësi të mos e duash kombin si fetar. S’mund të jesh besimtar ndaj Zotit pa e dashur kombin tënd. Nëse je fetar i mirë, do të jesh kombëtar edhe më i mirë”.