Zyrtarët e Komunës së Fushë-Kosovës kanë paralajmëruar ndotësit e mjedisit se do t’i ndëshkojnë me gjoba, secilin që hedh mbeturina jashtë kontejnerëve.
Sipas tyre, megjithëse i kanë larguar disa herë deponitë e egra, qytetarët po hedhin sërish mbeturina vend e pavend.
“Grumbullimi i mbeturinave pa planifikim, bartë rreziqe të ndryshme, jo vetëm në aspektin ekologjik, por edhe shëndetësor, pasi që si pasojë e këtyre mbeturinave, kanosemi edhe nga epidemi të tjera dhe krijojmë kushte edhe për grumbullim e qenve endacakë. Komuna e Fushë-Kosovës, në rrugën ‘Meshari’ te lumi Sitnica, ka filluar eliminimin e deponive të egra. Në këtë lagje tani e një kohë të gjatë po largohen mbeturinat, por disa nga banorët nga pakujdesia prapë po i hedhin në këtë lokacion”, thuhet në një njoftim të Komunës së Fushë-Kosovës të enjten.
Zyrtarët komunalë kanë kërkuar nga banorët që të mos i hedhin mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin.
“Për keqbërësit që hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve dhe krijojnë deponi ilegale, tani e tutje do të pasojnë gjobat mandatore dhe do të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.
{gallery}