Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fundi i praktikës së deritashme - serbët e Kosovës mësynë Serbinë për votim

Serbët e Kosovës kanë votuar të dielën për zgjedhjet e Serbisë, duke shkuar fizikisht nëpër qendrat më të afërta të votimit, në mënyrë të organizuar me autobusë dhe vetura. Fluksi i madh ka krijuar tollovi në disa prej pikëkalimeve kufitare, për shkak të vonesave nga pala serbe dhe procedurave për vendosjen e letërngjitësve. Kjo është hera e parë që serbët nuk u lejuan të votojnë brenda Kosovës për zgjedhje të Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk lejoi vazhdimin e praktikës së mëhershme kur votat i grumbullonte OSBE-ja

Që nga orët e hershme të mëngjesit të së dielës, qytetarë serbë të Kosovës në mënyrë të organizuar me autobusë, por edhe vetura, kanë shkuar drejt Serbisë për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Kjo është hera e parë që serbët votojnë jashtë Kosovës për zgjedhjet e Serbisë, pasi Qeveria aktuale i dha fund praktikës së deritashme kur për llogari të Serbisë hapeshin qendra të grumbullimit të votave.

Serbët nga Kosova votuan në Tutin, Rashkë, Kurshumli e Vranjë. Shumë prej tyre që ishin nga komunat veriore dhe ato në jug të Ibrit janë nisur nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës, mirëpo për t’iu shmangur tollovisë, kishte edhe lokacione të tjera prej nga kanë udhëtuar, siç janë Spitali i përgjithshëm në veri dhe ndërmarrja “Trepça” në Zveçan. Autobusët mbanin numrat në dritare që shkonin deri në rreth 40.

Tollovi më të mëdha janë krijuar në pikën kufitare Jarinjë. Sipas Policisë së Kosovës, pritjet janë shkaktuar si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritetet serbe dhe aplikimit të procedurave të letërngjitësve në targa.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritetet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi, si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe Zgjedhjet në Serbi rëndojnë kufijtë në të dyja anët, Jarinja me dy orë pritje Arbëri Zgjedhjet në Serbi rëndojnë kufijtë në të dyja anët, Jarinja me dy orë pritje

Me anë të disa pamjeve të shkrepura nga këto dy pika kufitare, Policia ka njoftuar se ka paraparë masat dhe veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policor në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.

E, njëri prej ngasësve shprehu mllefin e tij teksa priste për ta kaluar kufirin.

“Sikur pak më të mirë të ishin njerëzit, atëherë edhe do të përmbushnin diçka, por kështu nuk bën. Kurrë. Kurrë. Zoti lart s'lejon”, ka thënë një qytetar serb.

E, të tjerët nuk hezitonin t’i shpalosin preferencat e tyre politike, por pati të tjerë që thanë se nuk kanë pritje të mëdha prej këtyre zgjedhjeve.

“Po shkoj në Rashkë për të votuar. Po çka të pres prej këtyre zgjedhjeve...”, tha një votuese nga Leposaviqi.

“Po presim më mirë. Çfarë të duash. Vuçiqi është shumë njeri i mirë, por edhe Kurti është i mirë. Ata bashkë merren vesh, ti veç kënaqu. Ne duhet që të jetojmë së bashku, unë dhe ti duhet që të jetojmë së bashku”, u shpreh një votues tjetër.

Në pikën kufitare në Jarinje kishte edhe zyrtarë të OSBE-së, derisa pak metra tutje patrullonin pjesëtarë të KFOR-it amerikan e slloven. Hapësira vëzhgohej edhe prej lart nga ana e KFOR-it.

Udhëtimin e serbëve të dielën e kanë mbikëqyrur edhe diplomatët e akredituar në Prishtinë.

Edhe Serbët nga veriu i Kosovës nisen me autobusë për të votuar në Serbi Arbëri Serbët nga veriu i Kosovës nisen me autobusë për të votuar në Serbi

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, bashkë me ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, kanë vizituar pikën kufitare në Merdar.

Rohde ka shkruar në “Twitter” për bashkëpunimin e mirë mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Së bashku me ambasadoren e Francës në Kosovë vizituam pikën kufitare në Merdar. Ne, atje pamë një bashkëpunim nga të dyja anët. Po ashtu, Kosova kishte vepruar siç kishte premtuar duke rritur personelin në pikat përkatëse kufitare për të mundësuar që në mënyrë të qetë votuesit të shkojnë të votojnë atje”, ka shkruar Rohde.

Ndërkaq shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se qarkullimi në pikëkalimet e përbashkëta kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vijuar pa vonesa dhe pa incidente.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se situatën po e monitoron njësia e specializuar policore e EULEX-it dhe rezerva e saj e përbërë nga pjesëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane.

“Njësia e Specializuar Policore e EULEX-it dhe Rezerva e saj e përbërë nga pjesëtarë të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane janë duke e monitoruar situatën në të gjitha gjashtë pikëkalimet e përbashkëta kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nga orët e para të mëngjesit të së dielës. Qarkullimi është duke vijuar pa ndonjë vonesë të konsiderueshme apo incidente”, ka thënë ai.

Organizata së cilës i jep llogari Wigemark dhe QUINT-i kishte kritikuar vendimin e qeverisë për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë, duke e cilësuar minim të aspiratave evropiane të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti kishte sqaruar rrethanat, të cilat kanë bërë që të mos arrihet marrëveshja për mbajtjen zgjedhjeve serbe. Sipas tij, nga Serbia nuk është plotësuar kushti që është kërkuar, për shkëmbim kërkese mes qeverive të të dyja shteteve. Ai kishte thënë se, BE-ja nuk ka qenë e lumtur që ai nuk ka pranuar që i gjithë procesi të përmbyllet me një letërkëmbim mes zyrtarëve ndërlidhës.

Edhe Serbët e Kosovës me autobusë e vetura mësynë qendrat e votimit në Serbi Arbëri Serbët e Kosovës me autobusë e vetura mësynë qendrat e votimit në Serbi

Pas refuzimit, Kurti është akuzuar nga presidenti i Serbisë se po synon që ta destabilizojë rajonin. Duke folur për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, Vuçiqi ka thënë se qëllimi është që të poshtërohen serbët dhe t’u hiqen të drejtat e tyre.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020. Ato ishin zhvilluar sipas një praktike të mëhershme, ku misioni i OSBE-së në Kosovë ka grumbulluar votat. Pas mbylljes së qendrave të votimit, fletëvotimet më pas janë dërguar për numërim në dy qytete kufitare të Serbisë.

Ndërkohë, Qeveria Kurti nuk lejoi të votohej në Kosovë as për referendumin që Serbia e organizoi më 16 janar.