Me një natyrë shumë të bukur dhe jo larg nga qendra e Prishtinës, fshati Vranidoll është mjaft i përshtatshëm për banim.
Por mungesa e infrastrukturës, si rrugët dhe kanalizimi, po bën që banorëve të këtij fshati t'iu vështirësohet jetesa aty.
Rruga kryesore që çon në Vranidollin e Epërm e shtruar gati 20 vjet më parë është dëmtuar, përderisa asnjëra nga rrugicat nuk është e asfaltuar.
Gjendje jo më e mirë është edhe në Vranidollin e Poshtëm.
Banorët thonë se janë lënë anash nga Komuna, duke mos pasur asnjë investim në fshat për vite me radhë.
Si pasojë e mosshtrimit të asfaltit, Behxhet Reçica, banor i fshatit, thotë se kanë problem edhe me rrjetin e kanalizimit.
Për mungesë të kushteve elementare ankohet edhe banori Izet Kelani.
Nga Komuna e Prishtinës deklarojnë se rrugët e këtij fshati nuk janë të përfshira në buxhetin që kanë trashëguar nga qeverisja e kaluar.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se Vranidolli do jetë projekt i vitit të ardhshëm, pasi tani edhe janë duke i kryer matjet.
Sipas Xhaferit, vetëm 3 rrugica të këtij fshati janë në buxhet të këtij viti, të cilat nuk kanë filluar ende.
Komuna e Prishtinës në përgjithësi nuk ka filluar me shtrimin e rrugëve në këtë vit. Arsyeja e rritjes së çmimit të çimentos.
Xhaferi thotë se janë duke pritur nga Qeveria Qendrore të ndërmarrë ndonjë hap, në të kundërtën do t'i shkëpusin kontratat për të shkuar me kontrata të reja.
Me ngritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore: bitumeni, armatura, çimentoja e shumë materiale të tjera kanë pësuar rritje mbi 100 për qind. Komuna e Prishtinës ka kohë që po kërkon nga KRPP-ja që të marrë vendim në mënyrë që të mund të bëhet edhe ndryshimi i çmimit të kontratave.