Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Franca mirëpret heqjen e letrave ngjitëse: Lehtësohet jeta e qytetarëve

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e letrave ngjitëse në targat e Serbisë. Në një postim në Twitter, Guerot ka thënë se heqja e stikerëve lehtëson jetën e qytetarëve.

“Nuk ka më nevojë për letra ngjitëse në targat e Kosovës dhe të Serbisë. Mënyrë e mirë për të nisur vitin, duke ua lehtësuar jetën qytetarëve të të dyja vendeve. Shembull i mirë për zbatimin e marrëveshjeve të tjera”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës të enjten vendosi që të lejojë qarkullimin e veturave me targa të Serbisë, pa ngjitës në Kosovë. Vendimi erdhi pak ditë pasi Serbia nisi ta lejojë qarkullimin e veturave me targa RKS.

E kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi për heqjen e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë mund të ndryshojë po qe se ndryshon qasja apo sjellja e autoriteteve serbe për lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS. Ai ka shtuar se veprimi i Serbisë për njohjen e targave RKS duhet të lexohet si “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.