Prishtinë, 16 qershor –Fondi Kosovar për Garanci Kreditore nënshkroi marrëveshjen e garancisë me pothuajse të gjitha bankat në Kosovë - ProCredit Bank, Bankën për Biznes, Raiffaisen Bank, TEB Bank, Bankën Ekonomike, NLB Bank dhe duke përfshirë nga sot edhe Bankën Tregtare Kombëtare, Dega në Kosovë.
Marrëveshja iu mundëson bankave të përfitojnë siguri kolaterali për kreditë e lëshuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) duke synuar njëherësh të zgjerojë kredidhënien për bizneset kosovare, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e mundësive për sektorë ekonomikë dhe kategoritë që janë shërbyer më pak, si gratë, pakicat, bujqit, ndërmarrësit dhe rinia.
Po ashtu sot është nënshkruar marrëveshja për rritje të limitit të garancisë me Bankën për Biznes (BPB). BPB është një ndër bankat e para e cila nënshkroi marrëveshjen e Garancisë me FKGK-në dhe e cila e shfrytëzoi limitin fillestar në tërësi.
Ne besojmë se marrëveshjet e nënshkruara rishtazi do të rrisin tutje kontributin e Bankave drejt zhvillimit të portofolit të garancisë dhe arritjes së qëllimeve të marrëveshjes.
Shuma totale e kredive të miratuara nga Bankat të cilat janë vënë nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë rreth 13 milionë euro të shpërndara në 300 kredi.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në zyrat e Fondit, në rrugën Anton Çetta nr. 5A, në Prishtinë.
Cila është procedura për të përfituar nga garancitë?
Bizneset aplikojnë për kredi në bankë si më parë, duke i kaluar të gjitha procedurat bankare. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, apo kushtet tjera nuk plotësohen, banka mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi, duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së. Bizneset nuk mund të aplikojnë tek FKGK-ja që të marrin garancinë.
Rreth FKGK-së
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të).
FKGK është themeluar në janar të vitit 2016, bazuar ne Ligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Qëllimi i FKGK-së është të përkrahë sektorin privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për NMVM-të, duke mundësuar kështu edhe krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe avancimin e mundësive për sektorët ekonomikë më pak të shërbyer.
Ligji themelues i FKGK-së është iniciuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa zhvillimi i tij është përkrahur nga USAID në Kosovë, përmes Programit EMPOWER për Mbeshtetje e Kredisë (ECS). Ligji ka hyrë në fuqi më 23 janar 2016.