Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që njëherë e mirë ta rregullojë çështjen e pagesës së veteranëve të luftës, në mënyrë që rritja e pagës minimale të mos ndikojë në rritjen e pensioneve të veteranëve. Kundër kësaj kërkese kanë dalë Organizata e Veteranëve të Luftës, derisa nga Qeveria nuk kanë pranuar të prononcohen për këtë çështje.
Fondi Monetar Ndërkombëtar po rekomandon që buxhetin për përfitimet e veteranëve të luftës, Qeveria e Kosovës ta izolojë nga rritja e mundshme e pagës minimale.
Nëpërmjet nenit 18 të ligjit bazik të Veteranëve të Luftës, pensioni i veteranit ishte rregulluar në atë mënyrë që të mos paguhet nën pagën minimale të përcaktuar në Kosovë, ligj i cili vazhdon të jetë në fuqi derisa të bëhet kategorizimi i veteranëve.
Përveç izolimit nga paga minimale, shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar edhe kategorizimin dhe certifikimin sa më të shpejtë të veteranëve të luftës.
“Certifikimi i veteranëve të luftës duhet të finalizohet dhe buxheti për përfitimet e tyre duhet të izolohet nga rritja e mundshme e pagës minimale”, ka deklaruar Gabriel Di Bella, shef i Misionit të FMN-së për Kosovën.
Këtë rekomandim e kanë kundërshtuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, të cilët kanë thënë se pensioni i veteranit duhet të rritet në linjë me pagën minimale.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe në kohën kur ka qenë kryeministër Thaçi, ka pasur kritika për të mos i rritur pensionet, por ne jemi takuar me ta dhe ata s’kanë çka përzihen hiç, nuk është çështje e tyre fare. Le t’i këqyrin punët e veta, kurrgjë më shumë. Pensionet e veteranëve duhet të rriten, nëse rritet paga minimale”, ka deklaruar Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës.
Më 2017, me plotësim-ndryshim të ligjit për veteranët, buxheti për realizimin e pagesës ishte përcaktuar ndryshe dhe skema e re do të duhej të niste të aplikohej pas kategorizimit përfundimtar të veteranëve.
Meqë ende nuk ka ndodhur kategorizimi, skema pensionale vazhdon të zbatohet siç ishte paraparë me ligjin bazik.
Kësisoj, me rritjen e pagës minimale do të duhej të rriteshin edhe pensionet e rreth 40 mijë veteranëve, gjë që do të krijonte implikime të mëdha buxhetore, të cilat dalin në kundërshtim me rekomandimin e FMN-së për ruajtje dhe rritje të buxhetit të shtetit.
Por, për këtë çështje nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së shtunës.
Mirëpo, sipas ekonomistit Safet Gërxhaliu, Kosova duhet t’i marrë parasysh rekomandimet e FMN-së dhe të veprojë në koordinim me to.
Për shkak të keqpërdorimeve në kategorizimin e veteranëve nga Komisioni Qeveritar, aktualisht me ligjin janë duke u përballur 12 persona.