Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fillon realizmi i projektit për Efiçiencën e Energjisë në Podujevë

Në Komunën e Podujevës është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e Planit Komunal të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë me përfaqësues të GIZ-it dhe të kompanisë konsulente “Lins 4”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Takimi është realizuar mbi bazën Memorandumit të nënshkruar në mes të komunës së Podujevës dhe GIZ-it gjerman për realizimin e pilot projektit Giz-Keep “Krijimi i sistemit për menaxhim të energjisë në nivel lokal”.

Në takimin e sotëm ishin të pranishëm Menaxheri i Zyrës për Energji në Komunën e Podujevës, Rasim Fejza, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi dhe anëtarë të grupit punues nga drejtoritë përkatëse komunale si dhe përfaqësuesit e GIZ-it, Maliq Pireci dhe Meral Hallaqi - ekspertë për Efiçiencë të Energjisë dhe përfaqësuesja e kompanisë konsulente “Lins 4”, Nafie Gashi.

Gjatë takimit u diskutua lidhur me krijimin dhe funksionalizimin e Sistemit komunal për menaxhimin e energjisë, mbledhjen e të dhënave në terren për ndërtesat komunale dhe ndriçimin publik, mbështetjen e Menaxherit komunal të energjisë për vendosjen e të dhënave në softuerin Enmasoft si dhe në krijimin e Planit Komunal të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKVEE).

Me qëllim të realizimit të pilot projektit GIZ-KEEP është kontraktuar kompania “Links 4”, e cila do të fillojë menjëherë me aktivitetet, bashkë me Grupin Punues për Hartimin e Planit Komunal të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë.

Në këtë takim gjithashtu u bisedua për aktivitetet që do të zhvillohen për mbledhjen e të dhënave që lidhen me konsumin e energjisë nga ndërtesat publike komunale dhe ndriçimi publik në Podujevë. Gjithashtu u fol për detyrat dhe përgjegjësitë e secilit partner si dhe informata rreth softverit ENMASOFT dhe hapat e mëtutjeshëm dhe dinamika e implementimit të projektit.