Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fetahu numëron ngecjet dhe sukseset e një viti të Qeverisë Kurti

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbër Fetahu, ka thënë se Qeveria Kurti është dashur të reagojë më shpejtë për të parandaluar inflacionin dhe panikun që është shkaktuar te qytetarët me rastin e rritjes së çmimeve të rrymës, naftës e edhe të produkteve ushqimore.

I ftuar në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Fetahu ka treguar për analizën e nxjerrë nga GLPS-ja për punën njëvjeçare të Qeverisë Kurti 2, për çka tha se ka ngecje, por edhe suksese. Ngecjet, sipas tij, kanë ndodhur në politikën e jashtme me mosaplikimin në organizata ndërkombëtare.

“E vërteta është e ndërmjetme, ka suksese, por ka edhe ngecje në këtë vit të Qeverisë Kurti. Nga një analizë që e kemi bërë ne për punën e Qeverisë Kurti 2, mund të themi se ky vit është më shumë iniciues i reformave dhe disa iniciativave të ndryshe, por reforma strukturore apo substanciale që prekin qytetarët e Kosovës nuk kanë ndodhur gjatë një viti. Besoj që këtë vit do të mund të bëhej më shumë punë në politikën e jashtme. Një nga ngecjet është politika e jashtme, sidomos në mosaplikimin në organizata ndërkombëtare, po ashtu edhe mosdërgimin përpara të Projektligjit për Shërbimin e Jashtëm, kemi një lloj ngecje në zhvillimin e sistemit shëndetësor këtë vit, është punuar më shumë vetëm në menaxhimin e COVID-it, por kanë munguar një sërë reformash që do ta mbështesnin sistemin e shëndetësisë”, ka thënë Fetahu të martën.

Sipas tij, ka progres në aspektin e ekonomisë, pasi që Kosova ka performuar më mirë në treguesin makro-ekonomik si në mbledhjen e taksave, po ashtu edhe në koleksionimin e tyre.

“Pra ka një rritje ekonomike dhe të hapësirës për të bërë biznes, por në anën tjetër te zhvillimi ekonomik ende nuk kemi një reformë strukturore pensionale, nuk kemi ndonjë projekt zhvillimor kapital”, ka shtuar ai.

Edhe Kurti numëron “rezultatet e jashtëzakonshme” të qeverisjes së tij Arbëri Kurti numëron “rezultatet e jashtëzakonshme” të qeverisjes së tij

Fetahu më tej ka thënë se e kanë konsideruar si sukses luftën e Doganës ndaj bizneseve që u kanë ikur taksave. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Fetahu ka thënë se Qeveria nuk është fajtori i vetëm që nuk është bërë më shumë në këtë aspekt, megjithatë ka theksuar se ka pasur një lloj proaktiviteti nga Qeveria, sidomos me propozimin e temave, gjë që sipas tij, nuk ka ndodhur më parë.

“Te dialogu Kosovë-Serbi, ne si GLPS konsiderojmë se ka pasur një lloj proaktiviteti nga Qeveria sidomos me propozimin e temave që nuk ka ndodhur më parë, edhe pse nuk kanë arritur rezultat ka qenë një lloj proaktiviteti i mirë dhe i duhur, edhe te dialogu konsiderojmë që është çështje komplekse. Besoj që nga analiza jonë duke e parë edhe rrjedhën e zhvillimeve ndërkombëtare edhe rajonale, nuk është fajtori i vetëm Qeveria Kurti, konsiderojmë se është mundur të bëhej më shumë, Qeveria është dashur ta ushtrojë një lloj dialogu me shtetet veç e veç si Gjermania, Franca, Italia, SHBA-ja nga ana tjetër e Britania e Madhe, pra besoj që këtu është mundur të bëhet më shumë për të krijuar një mbështetje”, ka thënë ai.