Ndërmarrja “Ferronikeli” ka kërkuar që të furnizohet me rrymë nga tregu kosovar, deri në 40 për qind. Drejtori teknik i ndërmarrjes, Faruk Beqiri, ka thënë të martën në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, se “Ferronikeli” është e vetmja ndërmarrje që është lënë jashtë pakos së subvencionimin deri në 100 milionë euro, vendim ky që është marrë muaj më parë nga Qeveria.
Beqiri ka thënë se ndërmarrja kërkon që KEK-u të shesë energjinë për ta me një çmim më të volitshëm se ç’shitet për KEDS-in.
“Vetëm ‘Ferronikeli’ nuk është marrë parasysh në vendimin e Qeverisë për pakon që është bërë së fundmi sa i përket subvencionimit të energjisë. Ndihemi të diskriminuar pasi që ne po kërkojmë nga Qeveria që të na ndihmojë, të na subvencionojë me mjete. Kërkesa e Feronikelit ka qenë që 30 deri në 40 për qind të konsumit tonë të furnizohemi nga KEK-u por jo me çmimin që KEK-u ia shet KEDS-it, por të ketë një çmim më të volitshëm. Kjo kërkesë është parashtruar në mënyrë të shkruar edhe te ZRRE-ja edhe te të gjitha organet tjera shtetërore, sot është hera e parë që kemi pasur një takim zyrtar në komision”, ka thënë ai duke shtuar se kërkesa është që të tejkalohet kriza.
“KEK-u mund të na furnizojë me rrymë edhe neve gjatë natës kur bie konsumi i konsumatorëve në Kosovë. Teknikisht është e mundur, por nevojitet një vullnet politik për ndërhyrje në rregullore për një kohë të caktuar pasi ekziston kjo”, ka thënë përfaqësuesi i “Ferronikelit” që rrymën e merr nga tregjet ndërkombëtare.
Beiqiri ka njoftuar se nga 8 tetori kjo ndërmarrje ka ndërprerë prodhimin, duke paguar rreth 850 punëtorë me pagesë të 50 për qind të rrogës, ndërsa shpenzimet fikse për muaj momentalisht janë rreth 1 milion euro edhe pse nuk është duke u prodhuar nikel.
Me këtë rast, ai ka thënë se “Ferronikeli” ka humbur miliona euro në gjashtë muaj, teksa ka shtuar se nëse nuk arrihet një zgjidhje nga organet e shtetit, ndërmarrja mund të shkatërrohet.
“Kemi filluar me shkresat tona që në tetor. Nuk kemi bërë presion në organe gjatë muajit dhjetor dhe janar, por kemi shpresuar që në mars të marrim përgjigje për kërkesat tona. Sot është bërë takimi ku janë dhënë propozimet, nuk ka pasur përgjigje konkrete, shpresojmë që të bëhet zgjidhja sa më shpejt në të kundërtën e dini që ‘Ferronikeli’ ka një numër të madh të punëtorëve dhe ndër prodhuesit më të mëdhenj në vend”, ka thënë ai.