Arbëri

Ferizaj rregullon çështjen e parkingjeve publike, Prishtina ende jo

Qytetarët e Ferizajt kanë filluar të paguajnë tiketa kur parkojnë veturën e tyre në parking publik. E përderisa në Ferizaj tash e disa muaj është themeluar ndërmarrja e cila menaxhon me parkingjet dhe ka katër rrugë me parkingje publike me më shumë se 300 vendparkime, në Prishtinë ka vite që po zvarritet projekti i “Prishtina Parking”.

Megjithëse si projekt ishte përmendur më vonë, ndërmarrja “Ambienti” në Ferizaj është funksionalizuar më shpejtë se “Prishtina Parking.”

Ndërmarrja, që pos parkingjeve, mirëmban edhe hapësirën publike, në total ka mbi 70 punëtorë.

Çmimet e parkimit në qendër janë 40 cent për orë, ndërsa në rrugët tjera 30.

Ndërsa, për zgjidhjen e problemit të parkingjeve, Komuna e Ferizajt ka në plan ndërtimin e dy parkingjeve nëntokësore.

E në kryeqytet, gjetja e një vendparkimi vazhdon të mbetet problem, veçmas në qendër.

Për të gjetur një parking të lirë në kryeqytet, shpesh duhet bërë disa gjiro.

E në Komunën e Prishtinës fajin për mos-funksionalizimin e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila u themelua në fillim të këtij viti, ia lënë “bllokadës në Kuvendin Komunal.”

Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se vetëm në zonën qendër ata kanë inventarizuar katër mijë vendparkime, të cilat do të zgjidhnin problemin për këtë zonë.

Megjithëse ka theksuar nevojën e funksionalizimit sa më të shpejtë të ndërmarrjes, ai nuk e ka mohuar që kjo të mund të shtyhet deri pas zgjedhjeve lokale, me shpresë të ndryshimit të numrave në Kuvendin Komunal.

Për funksionalizimin e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, për më shumë se një vit, komuna ka dhënë shumë afate, por që asnjë prej tyre nuk është respektuar.