Arbëri

Fëmijët që nga klasa e gjashtë po konsumojnë cigare elektronike, ngrihen shqetësime

Nxënës të ciklit të ulët konsumojnë cigare elektronike që shihen të ekspozuara edhe në dyqane rreth shkollave fillore. Për këtë situatë kanë ngritur shqetësime prindërit dhe përfaqësues të institucioneve arsimore. Ekspertët shëndetësorë kanë alarmuar se konsumimi i cigareve të tilla prodhon pasoja, në mesin e të cilave kanë përmendur edhe varësinë që mund të krijohet ndaj drogave të tjera

Janë ngritur shqetësime nga prindërit dhe menaxhmenti i shkollave se nxënësit që nga klasa e gjashtë kanë filluar të konsumojnë cigare elektronike.

Drejtoresha në shkollën “Ismail Qemali”, që ka numrin më të lartë të nxënësve në kryeqytet, Mimoza Krasniqi, ka thënë se gjatë kontrolleve nëpër klasa, janë hasur cigare elektronike.

“Shkolla ‘Ismail Qemali’ ka hasur në këtë dukuri, sidomos në klasat e teta dhe të nënta, por është përhapur edhe të klasat e gjashta dhe të shtata. Ne vazhdimisht jemi në kontakt me prindërit, i njoftojmë rastet kur i bëjmë kontrollet e klasave dhe i gjejmë nëpër klasë, por kjo dukuri më rrallë ndodhë brenda në shkollë. Shumicën e rasteve ndodhin në rrugë”, ka thënë ajo, dhe theksoi se organizohen edhe ligjërata vetëdijesuese për parandalimin e kësaj dukurie.

Në Këshillin e Prindërve të Kosovës e kanë kualifikuar këtë si dukuri shqetësuese, për të cilën kanë kërkuar të merren masa urgjente për parandalimin e përdorimit të cigareve elektronike, pasi siç thanë pasojat mund të jenë të mëdha.

Kryetari i Këshillit, Jeton Demi, ka kërkuar masa urgjente nga institucionet që të ndalohet shitja e reklamimi i cigareve elektronike afër institucioneve arsimore.

“Kemi kërkuar që të ketë një perimetër të sigurisë afër shkollave që ato biznese që zhvillojnë aktivitete dhe ofrojnë kësi produkte të mbikëqyren edhe më rreptësisht sesa bizneset tjera”, ka thënë Demi. “Realiteti ndodh që bizneset zhvillojnë aktivitete afër shkollave. Janë më pak të kontrolluara aty. Bëhen edhe shkelje më të mëdha – ekspozohen fëmijët nga produkte të tilla të dëmshme”.

Kjo problematikë është ngritur edhe gjatë seancës të së enjtes në Kuvend.

Ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se janë shtuar inspektimet afër institucioneve arsimore. Ajo theksoi se cigaret elektronike nuk duhet të ekspozohen në dyqane.

“I kemi kushtuar kujdes të veçantë, me ç’rast është ndaluar ekspozimi i cigareve elektronike në vende të dukshme. Inspektimet janë rritur afër shkollave, spitaleve, qendrave sportive. Vetëm gjatë periudhës janar-maj mbi 835 inspektime dhe 630 ankesa janë trajtuar”, ka thënë Hajdari.

Por gjatë vizitave që ekipi i KOHË-s u ka bërë katër dyqaneve në afërsi të shkollave në kryeqytet, që të gjitha i kanë pasur të ekspozuara këto cigare.

Një ndër arsyet që nxënësit konsumojnë cigaret elektronike, sipas psikologes Kumrije Ismajli-Canolli, është dizajni i tyre shumë ngjyrësh, e shija e ëmbël.

Por ajo theksoi se përdorimi i tyre në moshë të hershme ndikon në nivelin e mësimnxënies si dhe rrit rrezikun për varësinë ndaj drogave të tjera.

“Ndikon te çështja e procesit mësimor, mungesa e koncentrimit, plus është gjendja e fillimit kur fillojnë të konsumojnë – është gjendje që fillojnë të habiten, ta humbin kontrollon, e kanë gjendjen e përgjumur nxënësit, që është dukuri mjaft shqetësuese”, ka thënë ajo.

Cigaret elektronike përmbajnë bateri për të ngrohur lëngun që ka nikotinë, aromatizues e kimikate të tjera.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha, ka thënë se kur lëngu elektronik nxehet, formon kimikate toksike të cilat mund të ndikojnë në bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes.

“Edhe pse mungon monoksidi i karbonit dhe katrani, përbërës të tjerë janë në përfshirje më të ultë, do të thotë të gjitha ato aerosole që kalojnë nëpër rrugët respiratore shkaktojnë bllokim të rrugëve të frymëmarrjes dhe shkaktojnë dëme te inflamacionet kronike edhe te personat që kanë alergji, por njëherësh edhe te virozat e ndryshme”, ka thënë Hoxha.

Gjetje të publikuara në revistën “Arterioskleroza, tromboza dhe biologjia vaskulare”, shtojnë provat në rritje se përdorimi afatgjatë i cigareve elektronike mund të dëmtojë shëndetin e një personi.

“Ne zbuluam se përdoruesit kronikë të cigareve elektronike kishin të dëmtuar funksionin e enëve të gjakut, gjë që mund të rrisë tek ata rrezikun për sëmundje të zemrës”, ka thënë Matthew Springer, një profesor i mjekësisë në divizionin e Kardiologjisë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko. “Kjo tregon se përdoruesit kronikë të cigareve elektronike mund të përjetojnë një rrezik të sëmundjes vaskulare të ngjashme me atë të duhanpirësve kronikë”.

Sipas studimeve, konsumimi i cigareve elektronike dhe i cigareve të zakonshme mund të shkaktojë një rrezik edhe më të madh sesa përdorimi i secilit prej këtyre produkteve vetëm. Këto gjetje ndodhen në dy studime të reja të publikuara në tetor të vitit të shkuar, e që janë mbështetur nga Instituti Kombëtar i Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut (NHLBI), pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH) në SHBA.