Hysni Feka, analist i tarifave në Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit, ka thënë se gjatë përcaktimit të tarifave të ujit kanë parasysh aftësinë e konsumatorit për të paguar për shërbimet që marrin me ujë.
Në emisionin “SOT” në KTV ka thënë se do të mbahen diskutime publike me kompanitë e ujësjellësit me qytetarë deri në fund të vitit për të përcaktuar planet tarifore për 3 vitet e ardhshme.
Ka shtuar se meqë ka shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike dhe disa shërbimeve të tjera, mund të ketë mundësi edhe për rritje të çmimit të ujit, por pa dëmtuar konsumatorin.
“Pjesëmarrja e shpenzimeve të energjisë në të dhënat e shpenzimeve të kompanive të ujit në Kosovë është përafërsisht 18 përqind, kështu nëse kemi rritje për siç ka thënë kompania e ujit 30 përqind të shpenzimeve të energjisë, vetëm te shpenzimet e energjisë është dashtë të ndikojë për 2 përqind tarifën ekzistuese. Do të thotë se nëse tarifa ekzistuese është më e madhe ose afër 50 përqind, menjëherë është dashtë të rritet për 1 cent. Por, kjo nuk do të thotë se Autoriteti i ujit do të rritë tarifat për konsumatorët”, ka thënë ai.
Feka ka shpjeguar procesin nëpër të cilin do të kalojnë kompanitë e ujit për të marrë miratimin për planet e tyre tarifore 3-vjeçare.
“Autoriteti Rregullator i Shërbimeve të Ujit është në procesin e përcaktimit të tarifave nga procesi tarifor 3 vjeçar sepse praktikat tona janë që ne caktojmë tarifat e shërbimeve të ujit dhe grumbullimit të ujërave të ndotura për 3 vite. Ky proces tarifor në 2021 zhvillohet për 2022-23-24, prandaj kompanitë janë të detyruara që për këto tri vite për të aplikuar për tarifat e këtij procesi tarifor, të ofrojnë planet e tyre me të cilat parashohin ecurinë ekonomike të kompanisë tyre për tri vite. Kompanitë, pasë parasysh shtrenjtimet e shportës së konsumatorit, u hyjnë shpenzimet e derivateve, e që te kompanitë e ujit e kanë një ndikim të madh, shtuar këtu edhe shpenzimet e energjisë elektrike që pritet që këto të fundit do të rriten, së paku për kompaninë më të madhe, për kompaninë e ujit Prishtinë sepse kalon nga një konsumator i mesëm në një konsumator i madh dhe automatikisht rriten çmimet”, ka thënë ai.