Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fazliu: Interesim i lartë për shfrytëzimin e parkingut nëntokësor, patëm rast të qëndrimit 7-orësh

Drejtori menaxhues i Parkingut Nëntokësor “038”, Korab Fazliu, ka deklaruar se dita e parë e parkingut me pagesë nuk ka pasur ndryshim nga tri ditët e para që kanë qenë falas sa i përket interesimit të madh të njerëzve për shfrytëzimin e këtij parkingu.

I ftuar të hënën në emisionin “038” në KTV, Fazliu ka thënë se ka pasur raste kur njerëzit kanë bërë pagesë edhe për 6-7 orë qëndrimi.

“Sot nuk kemi vërejtur ndonjë dallim me tri ditët e para që ka qenë falas, edhe sot interesimi ka qenë tejet i madh, po ashtu edhe interesimi i këmbësorëve në parkun tonë apo pjesën tonë të gjelbërimit. Ka qenë një ditë mjaft aktive por kemi pasur edhe mjaft shumë punë si menaxhment, megjithatë kemi arritur me sukses ta përfundojmë këtë ditë. Kam hasur në njerëz që kanë bërë pagesë edhe për 6-7 orë qëndrimi. Mund të them lirshëm 99 për qind e qytetarëve kanë dhënë lëvdata dhe fjalë të mira për këto punë gjigante dhe bukurinë që ua kemi kthyer Prishtinës”, ka thënë ai.

Pas kritikave të shumta sa i përket ndryshimit të çmimit të parkingut sa i përket qëndrimit për një orë, nga çmimi i paraqitur në kontratën fillestare, Fazliu ka thënë se ky ndryshim ka ndodhur me fillimin e operimit në koordinim të Prishtina Parkingut dhe Komunës së Prishtinës.

“Kemi marrë kritika të bollshme këto ditët e fundit, si staf i Parkingut jemi të obliguar të sqarojmë. Çmimet e para apo fillestare të kontratës fillestare kanë qenë 80 cent për një orë qëndrimi në parking, mirëpo në atë kohë ‘Parking Prishtina’ nuk ka ekzistuar si kompani, me fillim të operimit të Parking Prishtinës, komuna e Prishtinës në koordinim me Parking Prishtina kanë vendosur që çmimi të jetë 1 euro - 1 orë”, ka thënë ai.

Edhe Parkingu nëntokësor zbret çmimet Arbëri Parkingu nëntokësor zbret çmimet

Fazliu ka shtuar se çmimet tjera të paraqitura për një, gjashtë apo një vit qëndrim, janë vendosur si strategji për t’iu shmangur abonimeve që kanë parkingjet tjera, pasi qëllimi parësor i “Parking Center” është shkarkimi i trafikut të kryeqytetit dhe përdorimi i parkingut për 24 orë, të jetë parking ditor e jo gjashtëmujor apo njëvjeçar.

Ai ka shtuar se vendosja e dy bizneseve mbi këtë parking nëntokësor, është bërë bazuar në planin fillestar.

“Që nga fillimi plani fillestar ka cekur që do të jenë dy lokale afariste në kuotën 0. Ne ju kemi përmbajtur planit fillestar. Kulmet e lokaleve tona janë në të njëjtën vijë me gjelbërimin dhe parkun lart. Jeta studentore i ka vështirësitë e veta, kërkon një vigjilencë të madhe sa i përket ekonomisë familjare apo personale, i kuptojmë studentët për protestat, por pjesa jonë si Parking Center është që e gjithë hapësira e gjelbër apo dy lokalet afariste, shkallët e çdo gjë tjetër të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ai.