Arbëri

Familjet skamnore rrezikojnë të mbesin rrugëve, komuna i largon nga ish-burgu i Gurrakocit ku ishin strehuar

Objekti i boshatisur i ish-burgut në Gurrakoc të Istogut, qysh prej pasluftës është shfrytëzuar nga të pastrehët dhe skamnorët për vetëstrehim.

Qelitë e burgut nga zori janë shndërruar në dhoma banimi.

Aktualisht në këtë objekt jetojnë dy familje shqiptare dhe shtatë familje të komunitetit egjiptian me mbi 40 anëtarë, të cilët me një vendim të Komunës së Istogut duhet ta lirojnë këtë objekt deri më 8 shtator, raporton KOHA.

“Banoj këtu që 10 vjet. Jam vetë i teti anëtarë. Tokë nuk kam, kurrsend hiq. Dojnë me na hek prej ktuhi e nuk di ka ja mbaj oj vlla. Nuk di ka ja mbaj me gjithë kta fëmijë. Jam mbet qetu o burri i dheut derisa t’vjen bageri mem hek edhe me thmi e me krejt mem mbyt mue mas parti se skam ku shkoj”, tha Gazmend Vrankaj nga Klina.

Qe 14 vjet në këtë objekt jeton edhe e veja Shefkije Gashi nga Komuna e Istogut, së cilës nëse paraprakisht nuk i sigurohet një strehë tjetër do të mbetet rrugëve me djalin e saj 10-vjeçar.

“Ju kisha lut për hirë të allahit, hatri i qetij jetimi, let ma bajn një zgjedhje. Ka këtu të Istogut, ka të Klinës, tash me këta fëmijë... hiq për neve, por hatri i qetyne fmijve. Tash në vend që me u përgatitë për dimër, e jo me i marr sendet e me dal rrugëve. Ka kem me shkue”, tha Shefkije Gashi nga Istogu.

Vendimi për rrënimin e këtij objekti, siç tha kryetari i Istogut, Haki Rugova, do të ekzekutohet, por ndërkohë, sipas tij, do të shikohet të bëhet zgjidhje për ato familje, prej të cilave pesë janë nga Komuna e Istogut, tri nga Komuna e Klinës dhe një e Skenderajt.

“Kurrkush nuk do të mbetet në rrugë. Gjithë do të jenë të trajtuar. Unë po flas për banorët e komunës së Istogut. Natyrisht edhe në bashkëpunim me kryetarin e Klinës dhe të Skenderajt mund merremi vesh. Na veç kemi biseduar, kemi filluar dhe do të kërkojmë përkrahje edhe nga niveli qendror në mënyrë që të mos i lëmë njerëzit në rrugë”, tha Haki Rugova, kryetar i Komunës së Istogut.

Për strehimin e këtyre familjeve është duke u angazhuar edhe deputeti Elbert Krasniqi, i cili në dy ditët e fundit është takuar me kryetarin e Istogut, Haki Rugova, dhe atë të Klinës, Zenun Elezaj.

“Dhe të angazhohemi gjithë së bashku, me kryetarin Rugova, me kryetarin Elezaj, që të bëhet një zgjidhje permanente për këto familje”, tha Elbert Krasniqi, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Toka në të cilën gjendet objekti i ish-burgut në Gurrakoc sipas kryetarit të Istogut, Haki Rugova është pronë komunale, kurse objekti është pronë e Ministrisë së Drejtësisë, e cila, sipas tij, ia ka dhënë Komunës lejen që ta rrënojë objektin, ku sipas Rugovës, Komuna ende nuk ka ndonjë plan konkret se çfarë do të ndërtojë në atë vend.