“Burgu i Gurrakocit njihet si një prej burgjeve më famëkeqe në Kosovë. Që pas Luftës së Dytë Botërore aty u maltretuan e u keqtrajtuan veprimtarë të shumtë shqiptarë, deri në kohën e luftës së fundit, ku shërbeu si kamp përqendrimi ku u mbajtën peng qindra qytetarë të Istogut, dhe jo vetëm nën tortura çnjerëzore”, shkruhet në peticionin e nisur nga një grup i të burgosurve të luftës së fundit. Me një mijë nënshkrime banorët e Komunës së Istogut do të kërkojnë që ish-Burgu i Gurrakocit të mos rrënohet, të marrë statusin e monumentit e më pas të shndërrohet në muze
Me një mijë nënshkrime banorët e Komunës së Istogut do të kërkojnë që ish-Burgu i Gurrakocit të mos rrënohet, të marrë statusin e monumentit e më pas të shndërrohet në muze. Burim Kabashi, i cili ka bërë burg në këtë ndërtesë në kohën luftës së fundit në Kosovë, nënshkrimet i ka mbledhur në periudhën kohore prej një muaji. Nuk bëhet fjalë për peticion online, por klasik.
Kjo nismë është jetësuar pas paralajmërimeve të Komunës së Istogut se ish-Burgu do të rrënohet në emër të asaj se paraqet rrezik për qytetarët. Kabashi, si nismëtar i peticionit, ka gjetur përkrahje të gjerë nga bashkëqytetarët e tij.
“Burgu i Gurrakocit njihet si një prej burgjeve më famëkeqe në Kosovë. Që pas Luftës së Dytë Botërore aty u maltretuan e u keqtrajtuan veprimtarë të shumtë shqiptarë, deri në kohën e luftës së fundit, ku shërbeu si kamp përqendrimi ku u mbajtën peng qindra qytetarë të Istogut, dhe jo vetëm nën tortura çnjerëzore”, shkruhet në peticionin e nisur nga një grup i të burgosurve të luftës së fundit. Aty kanë qartësuar se rrënimi i ish-Burgut do të jetë rrënim i historisë dhe fshehje e gjurmëve në objektin ku Serbia kreu krime e tortura sistematike mbi shqiptarët ndër vite.
“Me këtë peticion ne, qytetarët e Kosovës, duke vendosur nënshkrimin dhe numrin personal bëjmë të ditur se jemi për shfuqizimin e vendimit të Komunës së Istogut për rrënimin e Burgut të Gurrakocit dhe kthimin e tij në muze”, shkruan në peticion.
Burim Kabashi ka thënë se në ditët e para të javës peticioni do të dorëzohet në Komunën e Istogut dhe në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë.
“Kemi rreth një mijë nënshkrime të qytetarëve nëpërmjet të cilave kërkojmë që të mos rrënohet ish-Burgu, më pas të shpallet monument dhe të bëhet muze e të shërbejë si vend i dëshmive dhe kujtesës për atë që ka bërë regjimi serb në Kosovë”, ka thënë Kabashi.
Sipas tij, numri i nënshkrimeve të mbledhura është treguar i qartë se çfarë mendojnë qytetarët për të ardhmen e ish-ndërtesës së Burgut. Ka thënë se peticioni është përkrahur gjithandej vendbanimeve të Istogut në pamundësi që të shtrihet edhe përtej kësaj komune.
Gjatë muajit dhjetor, por edhe në shkurt të vitit të kaluar, KOHA ka raportuar se bodrumi i ndërtesës është i gurtë. Ka shërbyer edhe si qeli. Aty nuk mund të hyhet. Uji rrjedh vazhdimit, ashtu siç rrjedh edhe në anët e tjera të objektit. Banorët dyshojnë se uji është lëshuar qëllimshëm që të dobësohen strukturat, në mënyrë që të forcohen arsyet për rrënim.
Megjithëse aty për 20 vjet të pasluftës kanë jetuar familje skamnorësh, ndërtesa ka strukturë të fortë. Po ashtu, ka ruajtur goxha edhe tiparet e një burgu. Grilat në korridore, në dritare, në zyrat e administratës e shenja të tjera janë ruajtur.
Burim Kabashi si 17-vjeçar bashkë me familje kishin ikur në fshatin Staradran të Istogut në vitin 1999. Kur forcat serbe i kishin përzënë banorët drejt Shqipërisë, Kabashin e kishin ndarë nga familja. Bashkë me kushërinj të afërm ishin dërguar në ish-Burgun e fshatit të tyre. Më pas, deri në qershor të vitit 2000, kishin qëndruar në burgjet e Serbisë.
“Unë dhe të tjerët duam që fëmijëve tanë t’ua tregojmë vendin se ku kemi vuajtur. Është johumane të rrënohet ky burg. Nuk bën që vetë ta fshijmë historinë tonë”, pati thënë ai.
Ndërtesa është e Ministrisë së Drejtësisë, kurse parcela i takon Komunës së Istogut. Në emër të asaj se objekti paraqet rrezik për qytetarët, Komuna ka marrë pëlqimin e Ministrisë së Drejtësisë për rrënim.
Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, më 16 dhjetor nuk kishte treguar disponim për shndërrimin e ish-Burgut në muze. Kishte thënë se nuk e ka ndërmend të ngutet me rrënim dhe se do të diskutohet për të ardhmen e ish-Burgut. Për të primare ka qenë që të zhvendosen familjet që kanë jetuar aty. Për ato të dyja që kishin ngelur, kishte thënë se në ditët në vazhdim do të nënshkruhet kontrata për të ndërruar vendbanimin. Ndërtesa qysh prej dhjetorit nuk ka as energji elektrike.
“Aty kanë jetuar në kushte johumane dhe zhvendosja ka qenë prioritet i yni”, kishte thënë ai. Sipas Rugovës, rrënimi nuk do të bëhet tash dhe për këtë çështje do të ketë diskutime.
“Komuna nuk e ka takatin as ta bëjë (v.j.muze), as ta organizojë e as ta mirëmbajë. Në qoftë se shteti konsideron ta bëjë muze, unë konsideroj që mund të bëhet. Nuk e kam logjikën e zhdukjes së fakteve”, kishte thënë ai. Sipas tij, aty kanë ndodhur krime, pasi ishte burg shtetëror dhe tash duhet të diskutohet se si do të veprohet. Ka përmendur shkatërrimin që i është bërë pas luftës asaj që është njohur si “Kulla e Popit”, ku shqiptarët ishin masakruar. Për ish-Burgun ka thënë se do të kërkojë vlerësim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Nuk do ta rrënoj nëse konsiderohet si trashëgimi kulturore. Ideja ime është që ato familje të strehohen”, kishte thënë ai.
Objekti nuk është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme. Por deri më tash as autoritetet e trashëgimisë kulturore s’kanë pasur interes për këtë objekt. KOHA qysh në fillmvit kishte raportuar për planet për rrafshim.
Zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë kanë thënë se do të merren me këtë rast menjëherë pas marrjes së peticionit.
“Ne kërkojmë historikun, kopjen e planit, fletën poseduese, kërkesën e palës ose komunitetit dhe fotografitë. Më pas e verifikojmë edhe vetë gjendjen faktike. Pastaj e rekomandojmë me shkrim në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës”, ka thënë Shpresa Gjonbalaj, drejtoreshë e QRKT-së së Pejës. Ka shtuar se propozimet për mbrojtje të aseteve zakonisht MKRS-së i drejtohen në shtator, por në këtë rast do të dërgohet menjëherë posa të kompletohet dosja.
Kur KOHA kishte raportuar në shkurt, Shaban Çupi, mësues nga Paldenica e Hanit të Elezit, bashkë me shokët e tij kishte shkuar në Gurrakoc. Më 1986 aty kishte hyrë si i burgosur. Edhe Çupi e kundërshtonte rrënimin.
“Rrënimi i burgjeve është vendimi më miop, më mediokër, i cilitdo institucion të Kosovës që e bën atë”, kishte thënë ai. “Po ajo është trashëgimi e jona. Po ajo është sikur ta shembësh një kala, more burrë. Po a mendojnë këta njerëz se i zhdukin gjurmët. Po nuk janë veç të miat, po janë me qindra shokë, po janë njerëz që kanë dhënë gjak dhe jetën për Kosovën”, kishte shtuar ai.
Përderisa për ish-Burgun e Gurrakocit ende nuk dihet, ai i Prishtinës do të jetë muze. Në qershorin e sivjetmë ishte hapur për vizitorë për disa ditë. Është formuar edhe një grup punues për hartimin e konceptit për shndërrimit në muze të ish-Burgut në qendër të kryeqytetit. Nuk ruhet si vlerë arkitektonike. Por si shenjë e kujtesës kolektive.