Në episodin e tetëmbëdhjetë të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është regjisori e profesori Fadil Hysaj, me të cilin diskutohet për identitetin shqiptar dhe rrezikun për mos ta humbur, si dhe tema të tjera.

Surroi: Kosova ka nevojë për revolucion të plotë arsimor

6 d. më parë / 6 kor 2025 21:14
Veton Surroi

Në një bashkëbisedim me regjisorin dhe profesorin Fadil Hysaj në podcastin “PIKË”, publicisti Veton Surroi ngriti alarmin për gjendjen e arsimit në Kosovë, duke e krahasuar situatën aktuale me analfabetizmin masiv të vitit 1945.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për revolucion të plotë arsimor që do të rikthente energjinë transformuese të shoqërisë.

“78% e nxënësve të shkollave të mesme sot nuk e kuptojnë tekstin që lexojnë”, ka thënë Surroi, duke shtuar se ky është problem që po përsëritet vit pas viti dhe që ka prekur tashmë 25 gjenerata të reja që nga fillimi i shekullit XXI.

Ai e quajti situatën një “barasvlerë me analfabetizmin e 1945-s” dhe theksoi se pa një revolucion të thellë në arsim, Kosova nuk mund të ecë përpara.

Në këtë kontekst, Surroi u shpreh se populli shqiptar ka dëshmuar më parë një kapacitet të jashtëzakonshëm transformues, kur arriti të kalojë nga një shoqëri kryesisht analfabete në një shoqëri që ndërtoi institucione shtetërore funksionale.

“Prej 95% analfabetë të ndërtosh shtet dhe institucione është një kapacitet i madh transformativ – dhe kjo energji ekziston ende. Është brenda nesh, në memorien tonë gjenetike, në ADN-në kulturore të këtij vendi”, ka deklaruar Surroi.

Surroi: Kosova është shtet aksidental

6 d. më parë / 6 kor 2025 21:03
Veton Surroi

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me regjisorin dhe profesorin Fadil Hysaj, publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova është produkt i një aksidenti historik dhe jo i një projekti të qëndrueshëm mendor.

Sipas tij, vendit i mungon një vizion i ri për shekullin 21, në një kohë kur bota po hyn në një fazë transformuese teknologjike.

“Kosova është projekt mendor dhe është shtet aksidental... siç e kam shkruar në libër sepse projekti i Kosovës ka qenë fillimisht projekti i bashkimit kombëtar”, ka thënë Surroi, duke iu referuar Konferencës së Bujanit dhe rolit të partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas tij, shtetësia erdhi më shumë si pasojë e rrethanave, sesa si rezultat i një projekti të menduar politik.

Ai theksoi se revolucioni i vërtetë i Kosovës ka qenë ai arsimor.

“Projekti mendor ka filluar me institucionalizimin e shkollimit deri te Universiteti i Prishtinës. Ende sot e kësaj dite në mediat nacionaliste të Beogradit shahet dita e themelimit të Universitetit sepse ai i dha shqiptarëve në Kosovë një mundësi për shtet”, ka shtuar ai.

Sipas Surroit, ndërtimi i rezistencës paqësore dhe më vonë i rezistencës së armatosur nuk ishin lëvizje spontane, por pjesë e një projekti të thellë mendor që shtrihet në kontinuitet. Por, ai nënvizoi se shekulli 21 ka hyrë pa projekt mendor për Kosovën.

“Pavarësia e Kosovës është trashëgimi e ngjarjeve të shekullit 20, jo e një ideje të re për shekullin 21”, u shpreh Surroi, duke paralajmëruar se mungesa e një vizioni të ri është problem serioz në një kohë kur bota po transformohet nga inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e avancuara.

Hysaj: Kongresi i gjuhës ishte një linguicid – u zhduk ADN-ja shpirtërore e shqiptarit

6 d. më parë / 6 kor 2025 20:31
Fadil Hysaj

Në një diskutim në podcastin “PIKË” me Veton Surroin, regjisori dhe profesori Fadil Hysaj shprehet se vendosja e standardit gjuhësor pas Kongresit të vitit 1972 ka shkaktuar një “linguicid” të mirëfilltë dhe ka dëmtuar rëndë trashëgiminë gjuhësore e kulturore të shqiptarëve, sidomos të atyre nga veriu, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Tash, këto kanë shkaktu dëme të mëdha deri te ajo ADN-ja shpirtërore shqiptare”, ka thënë Hysaj, duke shtuar se mënyra e sjelljes dhe e komunikimit ndërmjet shqiptarëve ka ndryshuar rrënjësisht si pasojë e këtij vendimi.

Sipas Hysajt, standardi gjuhësor që u vendos pas Kongresit nuk përfaqësoi gjithë hapësirën shqiptare, por dominoi gjuha e jugut, duke lënë jashtë një shumicë të madhe përdoruesish të dialektit gegë.

“70% e popullatës përdor gjuhën që u anashkalua. Veriu nuk është vetëm veriu i Shqipërisë, por përfshin edhe Kosovën dhe Maqedoninë”, theksoi ai.

Surroi nga ana e tij theksoi se vendimi për një standard unik ishte politik dhe i shtyrë nga parimi “jemi një komb, duhet të kemi një gjuhë dhe një standard gjuhësor”. Por, sipas tij, askush nuk e shtroi seriozisht pyetjen nëse ai standard do të ishte gjithëpërfshirës dhe i balancuar.

Hysaj e quajti vendimin për gjuhën një “linguicid në kuptimin më të rëndë të fjalës” dhe e krahasoi me një operacion të gabuar që bëhet me qëllime të mira, por që rezulton në humbje të funksionit.

“Njeriu mund të ketë qëllim të mirë me ta rregullu syrin dhe ta marrë krejt shikimin…”, shtoi ai.

Hysaj: Kosova po e ndjek rrugën e Bosnjës – nga identiteti kombëtar tek ai fetar

6 d. më parë / 6 kor 2025 20:15
Fadil Hysaj

Regjisori dhe profesori Fadil Hysaj në podcastin "PIKË" me Veton Surroin, ngre shqetësimin se pas pavarësisë po shfaqet një tendencë për zhvendosjen e identitetit shqiptar në atë fetar në Kosovë, ngjashëm me atë që ndodhi në Bosnje gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai theksoi se ndryshe nga vendet perëndimore ku asimilimi është shpesh i vullnetshëm dhe i lidhur me përparimin socio-ekonomik, në hapësirat ish-jugosllave, përkatësisht në Kosovë, nuk ka pasur ndonjë politikë të qartë dhe joshëse që shqiptarëve t’u ofrohej një alternativë më e mirë identitare, që mund të sillte zhvillim, arsimim dhe përfshirje më të gjerë në jetën institucionale.

Sipas Hysajt, një nga tendencat shqetësuese që ka nisur pas shpalljes së pavarësisë është ripozicionimi i identitetit të shqiptarëve të Kosovës drejt përkatësisë fetare.

“Dikur lajmi për Kosovën ishte: 90% shqiptarë. Sot po na serviret një lajm i ri: 90% myslimanë”, ka thënë ai, duke aluduar se ky nuk është zhvillim spontan, por proces i ushqyer edhe nga faktorë të jashtëm që mund të kenë qëllime politike e ideologjike.

“Vetë kjo lloj shifre, e kombinuar me parada, presione apo prezencë të islamit politik e radikal, na çon te një krahasim i dhimbshëm – ngjashëm me atë që ndodhi në Bosnje gjatë kohës së Titos, ku identiteti boshnjak u zëvendësua me një identitet ekskluzivisht fetar: mysliman. Dhe ashtu mbeti edhe sot”, shtoi Hysaj.

Në këtë bashkëbisedim, si Surroi ashtu edhe Hysaj theksuan se mungesa e një vizioni të qartë për identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe rajon e ka lënë këtë hapësirë të ekspozuar ndaj projekteve të ndryshme që shpesh janë të maskuara si “alternativa shpëtimi”, por që në thelb mund të dobësojnë lidhjen e qytetarëve me identitetin e tyre historik e gjuhësor.

“Jemi në një moment të ndjeshëm, kur duhet me e kuptu qartë se cilin identitet po ruajmë dhe çfarë lloj shoqërie po ndërtojmë”, deklaroi Hysaj.