Arbëri

EULEX-i: Vetëm 16 për qind e të akuzuarve për dhunim shpallen fajtorë

gjykata

Raporti i EULEX-it për monitorimin e drejtësisë ka gjetur se dënimet për dhunim janë të rralla. Janë dënuar vetëm 16 për qind e të akuzuarve, në rastet që ka monitoruar ky mision i BE-së. Me këto gjetje ku flitet edhe për paragjykime nga gjyqtarët sa i përket veprës penale të dhunimit, janë pajtuar bë Rrjeti i Grave. E, në Gjykatën Supreme bënë të ditur se do të angazhohen për ta diskutuar këtë çështje me gjykatat e shkallëve me të ulëta

Ndonëse shenjat fizike nuk janë të domosdoshme për t’u konstatuar se një person është dhunuar, ato llogariten shpesh si thelbësore nga gjyqtarët në Kosovë kur të marrin vendime, ka konstatuar misioni i BE-së për sundimin e ligjit.

Vetëm 16 për qind të aktgjykimeve për dhunim kanë qenë dënuese, thuhet në një raport të këtij misioni.

Në të theksohet se nga 31 të akuzuar për dhunim, 15 janë liruar nga akuzat, 12 aktakuza janë hedhur poshtë dhe vetëm katër të pandehur janë shpallur fajtorë në vitet 2023-2025.

Në bazë të 11 aktgjykimeve që i analizoi EULEX-i, del se mitet mbi dhunimin janë të përhapura te gjyqtarët. Një nga këto mite është se viktima e dhunimit duhet të rezistojë fizikisht.

“Në gjashtë prej 11 rasteve të analizuara, mungesa e lëndimeve fizike në rajonin gjenital u theksua nga gjykata si një nga arsyet për lirim nga akuzat... Në tri prej rasteve të analizuara, në vlerësimin e deklaratës gjykatat morën parasysh që pala e dëmtuar nuk kishte thirrur për ndihmë dhe as nuk kishte rezistuar fizikisht të pandehurit”, thuhet në raport. “Në një rast tjetër, gjykata e konsideroi kontradiktor faktin që pala e dëmtuar i kishte dërguar mesazhe të dashurit të saj dhe kishte shkuar në një motel me të, ndonëse deklaroi gjithashtu se kishte pasur frikë prej tij dhe se marrëdhënia nuk kishte qenë e mirë në atë moment”.

Besarta Breznica, zyrtare e Programit për Adresimin e Dhunës në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave, thotë se shteti po dështon t’i mbrojë viktimat dhe se probleme ka në secilën hallkë të drejtësisë.

Ajo thotë se nuk kanë mundur t’ua mësonin sa duhet institucioneve në trajnime se prania apo mungesa e pëlqimit është ajo që e përcakton se a ka ndodhur dhunim apo jo.

“Disa të dhëna të intervistave që ne i kemi pasur me gjyqtarë tregojnë që në momentin që një viktimë shkon në ambient më privat (ata mendojnë se v.j) normalisht që aty do të ndodhë diçka, pavarësisht se a ka dhënë ajo pëlqim apo nuk ka dhënë pëlqim që të ndodhë diçka tjetër. Përveç kësaj gjithmonë kur i kemi viktimat gra, gjyqtarët tentojnë ta arsyetojnë dhunën kur ajo iu ndodh duke menduar se gratë e kanë nxitur dhunën me të cilën ato janë ballafaquar”, thotë Breznica.

Ajo ka theksuar se duke mos ia dhënë peshën e duhur fjalës së viktimave, institucionet e mundësojnë rritjen e shkallës së dhunës.

“Në mendësinë e institucioneve e kemi njëfarë qasje që gjithmonë e falim dhunën përderisa nuk përfundon me fatalitet, pra i kemi rastet që kanë shkuar në femicid që personat janë dënuar me burgim të përjetshëm ose me 25 vite burgim… Domethënë përveç rasteve të femicidit të cilat janë dënuar mirë dhe duke e zbatuar Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në tjerat raste priremi që t’i falim, t’i tejkalojmë me shpresën, ndoshta edhe gjyqtarët, që nuk do të ndodhë diçka tjetër më e madhe, mirëpo përderisa po e falim dhunën në familje, po e falim dhunimin, ngacmimin seksual, dhunën psikologjike që nuk i shohim si vepra të mëdha, po iu japim goxha shumë forcë dhunuesve dhe po i dekurajojmë viktimat dhe po i shtojmë rastet e femicidit”, ka thënë Breznica.  

Kjo pjesë e raportit nuk u bë temë gjatë panelit të organizuar nga EULEX-i.

KOHA ka adresuar pyetje në Këshillin Gjyqësor, Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Gjykatën Supreme lidhur me gjetjet e raportit.

Supremja i ka mirëpritur këto gjetje dhe ka theksuar se me gjykatat e shkallëve më të ulëta kryetari i gjykatës do të vazhdojë t’i ngrejë gjetjet edhe të këtij raporti.

“Këto raporte, përfshirë atë të EULEX-it, shërbejnë si instrument kritik që ndihmon në identifikimin e të metave dhe rrjedhimisht përmirësimin e qasjes institucionale ndaj këtyre rasteve me ndjeshmëri të lartë. Gjykata Supreme po shqyrton me seriozitet çdo rekomandim që kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe vendosjen me drejtësi për secilin rast të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme. “Kryetari Fejzullah Rexhepi dhe gjykata që drejton janë të hapur për bashkëpunim me partnerët vendorë e ndërkombëtarë për të avancuar më tej standardet profesionale dhe për të adresuar perceptimet që mund të ndikojnë tek qasja publike ndaj rasteve të dhunimit”.

Sipas EULEX-it, përdorimi i stereotipave ka ndikuar në vlerësimin në prova, duke rezultuar në gjykime të gabuara e riviktimizim të viktimave të dhunimit.