Arbëri

Është stina e vërshimeve, me masa mund të parandalohen pasojat

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), paralajmëron për rreziqet nga vërshimet dhe këshillon për masat parandaluese.

Tani kur jemi në muajt në të cilët kemi reshje atmosferike më të shpeshta dhe më të dendura, si dhe duke u bazuar edhe në vitet paraprake, vërshimet e shpejta janë shumë të mundshme në vendin tonë, rikujton ai.

Institucionet përgjegjëse në Kosovë, si ato qendrore ashtu edhe ato lokale, varësisht prej përgjegjësive që kanë, duhet që me kohë të marrin masat e duhura preventive, dhe jo të presin përkeqësimin e motit dhe të reshurat atmosferike që shkaktojnë vërshime, siç ka ndodhur pothuajse çdo vit, tek pastaj të reagojnë.

Si masë parandaluese për një ndër shkaktarët kryesorë të vërshimeve thuajse të përvitshme në disa lokalitete në Kosovë, (që tashmë është dashur të ndërmerret), është edhe rregullimi i shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo përroskave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit dhe shkaktimi i përmbytjeve, thekson Ahmeti.