Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Escobar për dialogun: Do të donim marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se nuk ka afate për arritjen e marrëveshjes në dialogun mes Kosovës e Serbisë, por se është dëshirë që procesi të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një intervistë për “Euronews Serbia”, Escobar ka thënë se është i kënaqur me bisedimet e së premtes në Prishtinë e Beograd dhe se i ka pëlqyer përmbajtja e diskutimeve.

“Do të donim një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur. Po ta kishim nesër, do ta pranonim nesër. Po që se i duhen dy vjet, atëherë dy vjet. Por duhet të lëvizim shpejt, sepse çdo konfrontim që shohim në mes të Kosovës dhe Serbisë, po bëhet shumë e më shumë i rrezikshëm”, ka thënë ai të premten.

Ai ka thënë se në fund të procesit të dialogut do të donte të shihte zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur se si e sheh zgjidhjen e situatës, Escobar ka përsëritur: Integrimi evropian.

“Nga perspektiva jonë, pika kyçe është integrimi evropian dhe heqja e pengesave në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ka shumë fjalë për këtë”, ka deklaruar ai.

Sipas Escobarit, edhe popujt shqiptarë e serbë do të donin që dy shtetet të ishin pjesë e aleancës. Është shprehur i bindur se një skenar i tillë nuk është larg.

“Serbia dhe Kosova janë Evropë, ne ju trajtojmë si pjesë të komunitetit transatlantik, ju s’jeni vetëm në strukturat zyrtare. Është sfidë, si të arrini aty. Por historikisht e ekonomikisht, jeni pjesë e Evropës. Prandaj, duam të bëhet realitet”, ka thënë ai.

Edhe Escobar: Duhej të insistonim më shumë për zbatimin e Asociacionit Arbëri Escobar: Duhej të insistonim më shumë për zbatimin e Asociacionit

I pyetur nëse zgjidhja mund të jetë e mundshme pa e njohur Serbia Kosovën, Escobari ka thënë se një zgjidhje nuk është e mundshme nëse vazhdojnë krizat në rajon.

Ai ka shprehur besimin se të gjitha vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin “sepse ajo që përcakton Ballkanin Perëndimor është potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka, i cili rritet kur punoni së bashku”.

Escobari ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet sa më shpejt.