Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar para Kongresit Amerikan ka thënë se në shkurt dhe mars, Bashkimi Evropian me mbështetjen e SHBA-së ka arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe një aneks të zbatimit.
Sipas tij, të dyja vendet duhet t’i përmbushin obligimet e marra nga kjo marrëveshje.
Ka shtuar se obligim i Kosovës ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kosova dhe Serbia gjithashtu janë pajtuar për t’ia njohur njëra-tjetrës dokumentet dhe simbolet kombëtare. Por më e rëndësishmja, Serbia nuk do të lobojë kundër integrimit të Kosovës. Që prej atëherë ka pasur tensione dhe dhunë të papranueshme ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në veri të Kosovës. Ne dhe Bashkimi Evropian kemi bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm dhe rifokusim në implementimin e detyrave të marra nga marrëveshja”, ka thënë ai.
Ka shtuar se janë inkurajuar të dyja palët që t’i përmbushin obligimet e marra në marrëveshjen e nënshkruar.