Arbëri

ENQA vendos në shtator për Kosovën, rrezik nëse nuk pranohet

Nëse Kosova nuk e rifiton statusin e plotë të anëtarit të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ENQA, do t’i humbë besueshmëria e diplomave universitare dhe shtetet evropiane mund të shkaktojnë probleme për pranimin e tyre.

Ky mekanizëm anëtarët e vet, i përkrah në zbatimin e standardeve evropiane të cilësisë dhe i mundëson bashkëpunim në aspektin shkencor, raporton KTV.

Para një muaji, përfaqësuesit e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë - ENQA ishin në Kosovë, për të marrë opinionet nga institucionet relevante të arsimit të lartë.

Prej tyre varet vendimi final, i cili do të merret në shtator.

Kosova nuk ka ri-aplikuar për t’u rikthyer në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë - EQAR.

Sipas anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, nuk kanë ri-aplikuar pasi, pas vendimit të ENQA-s edhe EQAR-i del me një vendim të vetin.

ENQA e la Kosovën në statusin “anëtar nën vëzhgim”, menjëherë pasi EQAR e përjashtoi në shkurt ë vitit të kaluar pasi ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj shkarkoi bordin e Agjencisë së Akreditimit.

Kjo u cilësua si ndërhyrje në pavarësinë e Bordit të AKA-së.