Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Emrat e 1648 të zhdukurve me kuti të zezë i dorëzohen kryeministrit

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut ka marshuar sot për herë të parë në sheshin e Prishtinës, duke kërkuar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në luftën e fundit në Kosovë.

Me emrat e 1648 personave që mbanin në duar, të rinjtë kërkuan drejtësi për të zhdukurit në Kosovë.

Marigona Shabiu, drejtoreshë e organizatës, tha se ky është marsh për të vërtetën dhe drejtësinë.

Sipas saj, marshi ka për qëllim të rrisë vetëdijen për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Protestuesit i bënë thirrje kryeministrit dhe presidentit që të merren me çështjen e personave të zhdukur, pasi e kanë këtë çështje për obligim.

Në përkrahje të marshit kanë dalë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë. Emrat e 1648 personave të zhdukur ata i vendosën në një kuti të zezë, të cilën thanë se do t’ia dorëzojnë kryeministrit të Kosovës me pyetjen “Edhe sa kjo kuti do të qëndrojë e mbushur”.