Arbëri

Emisarët të bashkuar për Asociacionin e të ndarë për rezultatin e dialogut

Vizitën thanë se janë duke e bërë së bashku për të përçuar mesazhin e koordinimit që kanë, por emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar kanë shprehur qëndrime të ndryshme së paku për një çështje.

Ajo është njohja mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa i dërguari i BE-së për dialogun insiston në normalizim marrëdhëniesh, ai i SHBA-së thotë se vendet duhet të njohin njëra-tjetrën.

“Ajo çfarë thotë formula evropiane është se ne nuk përjashtojmë asnjë rezolutat, nuk e imponojmë asnjë rezultat. Ne mendojmë që kjo është përgjegjësi e të dyja palëve që nënkupton Kosovës dhe Serbisë që të dakordohen se cili duhet të jetë ai rezultati përfundimtar”, ka thënë Miroslav Lajçak, emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

E i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se dialogu duhet të përfundojë dhe të arrihet paqe mes vendeve.

“Ne duam të tejkalojmë dialogun të shkojmë në një pozitë ku të gjitha vendet e njohin njëra tjetrën janë në paqe me njëra tjetrën dhe janë në rrugë drejt integrimit evropian”, tha Escobar.

Por më të prerë, e të njëjtë në kërkesën e bërë, Lajçak dhe Escobar i treguan lidhur me marrëveshjet e pazbatuara deri më tani. Me theks të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Që të dy përfaqësuesit theksuan se nuk do të lejojnë krijimin e një republike serbe brenda Kosovës, por kërkuan zbatimin e marrëveshjes së arritur.

“Nëse duam te përfundojmë ekzistimin e strukturave paralele, transparencë në qarkullimin e parave, nëse duam sundim të ligjit në veri, e gjithë kjo mund të bëhet në kuadër të sistemit ligjor e kushtetues të Kosovës. Këshilla ime është mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do të ua imponoj këtë, keni vetëbesim në këtë dhe të jeni të vetëdijshëm se ju jeni bashkëpronar të këtij procesi”, u shpreh Lajçak.

Escobar foli për opsionet e shumta që janë për formimin e Asociacionin.

“Kur kam thënë se ka shumë opsione për krijimin e një asociacioni ka qenë për të thënë se nuk është e thënë se duhet të jenë modelet që dëmtojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Duhet të gjejmë njërën prej këtyre modaliteteve, në fakt ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të arrihet pajtimi për to”, tha Escobar.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur edhe për zgjedhjet e Serbisë, mbajtja e të cilave është paralajmëruar se nuk do të lejohet nëse ndodh edhe në Kosovë.

Sipas tij, çfarëdo vendimi që do të merret për këtë çështje, do të ndikojë në procesin e bisedimeve në Bruksel.

Pas konferencës së përbashkët, për herë të dytë gjatë vizitës së tij në Kosovë presidentja Vjosa Osmani është takuar zëvendësndihmës-sekretarin e shtetit të ShBA-së, Gabriel Escobar.

Pas qëndrimit në Kosovë e takimit me krerë të institucioneve e liderë të subjekteve opozitare, Lajçak dhe Escobar do të vizitojnë Serbinë.