Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Uran Ismaili, e ka prezantuar të hënën si drejtoreshë të re të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balajn.
Ismaili ka thënë se përgatitja profesionale e Balajt si dhe përvoja e saj janë të mëdha.
Puna që Balaj ka bërë për dy dekada, sipas Ismailit, bën që ajo të jetë kuadër i kualifikuar për këtë pozitë.
“Arta Balaj i bashkohet ekipit të Prishtinës si Drejtoreshë e Kulturës. Si një grua e përgatitur mirë, me shkollim ndërkombëtar dhe e dëshmuar për rreth dy dekada në sektorin publik e privat, Arta ka besimin dhe mbështetjen time të plotë në detyrën e re. Ajo ka punuar në disa shtete të ndryshme ndërsa ka bashkëpunuar edhe me shumë organizata ndërkombëtare që shërbejnë në Kosovë. Përvojën e saj të madhe do ta sjell tani në Prishtinë, për t'i dhënë gjallëri jetës dhe aktiviteteve kulturore në kryeqytetin tonë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
Me marrëveshjen për qeverisje komunale në Prishtinë, PDK-së i takojnë disa drejtori për t'i udhëhequr, përfshirë Kulturën. Në rastin e Balajt, PDK-ja e propozoi, ndërkohë kryetari i Komunës, Përparim Rama, duhet ta miratojë.