Arbëri

Emërimi i ambasadorëve vlerësohet rritje e fokusit të administratës Biden në rajon

Me qëllim të ndikimit në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova dhe Serbia, vlerësohet se është bërë emërimi i ambasadorëve të ri në këto dy shtete.

Jeffrey Hovenier, si ambasador i Amerikës në Kosovë, e Christopher Hill ne Serbi janë duke u parë nga njohës të dialogut si fokusim i administratës së presidentit Biden në këtë çështje e në të tjera në rajon.

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se një gjë e tillë do të duhej të shfrytëzohej nga Kosova.

“Nuk mund të konfirmojmë nëse nominimi i tij është qëllimisht është bërë që të lidhet me dialogun apo me marrëveshjen finale Kosovë Serbi, kjo nuk mund të dihet me siguri por se mund të pritet duke pas parasysh edhe emërimin e z. Hill i cili mund të ketë më vëmendje të administratës amerikane sa i përket këtij procesi por edhe çështjeve rajonale në përgjithësi”, ka thënë Haxholli.

E në Serbi vlerësojnë se me emërimet e bëra SHBA-ja do të insistojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Pres që sivjet të kemi dinamikë edhe rreth Kosovës, kështu që ardhja e ambasadorit të ri në Prishtinë është fillim i realizimit i strategjisë së menduar nga administrata e re dhe përbërja e re në Departamentin amerikan të Shtetit. Kjo me siguri nënkupton presion të ri mbi Serbinë që kjo çështje të zgjidhet dhe të zgjidhet në frymën e asaj që e tha Bideni menjëherë me të marrë detyrën, në urimet e veta, ku foli për njohjen reciproke. Pra, kjo do të jetë bazë e strategjisë amerikane”, u shpreh Zoran Milivojeviq, ish-diplomat serb.

Takimet si ambasador, Jeffrey Hovenier i ka vazhduar edhe këtë të martë. Ai është pritur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Në njoftimin e takimit mes tyre, thuhet se Konjufca e Hovenier janë zotuar për forcim të marrëdhënieve dypalëshe e thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Sipas njoftimit, Konjufca falënderoi ambasadorin Hovenier për përkrahjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke shprehur mirënjohje edhe për dhurimin e mbi gjysmë milioni të vaksinave Pfizer kundër koronavirusit.

Një ditë më parë, pas dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadori amerikan tha se ka marrë detyrën në një kohë kur në Kosovë ka ende punë të papërfunduara e për të cilat u zotua se do të punojë.