Arbëri

Emergjencës në Gjilan nuk i punon ashensori, pacientët të detyruar t’i përdorin shkallët

Në objektin katërkatësh të Spitalit të Gjilanit, në të cilën kryhen 50 për qind e shërbimeve, ka një muaj që si pasojë e djegies së motorit, nuk funksionon ashensori i paraparë për pesha të vogla. Për pasojë, shumica e pacientëve që marrin shërbime në objektin ku vepron emergjenca dhe të tjera klinika specialistike, janë të detyruar të ecin shkallëve.

Pacienti Faredin Hajrizi, i cili sapo kishte marrë një terapi, tregon për vështirësitë që hasi në pamundësi që ta përdorë liftin.

“Veç sa mora injeksion edhe mezi po eci, duhet me u ngjitë shkallëve. Çka të bësh. Kështu është sistemi i shëndetësisë në nivel të Kosovës jo vetëm në Gjilan se këtu ka punuar deri vonë, por ishte prishur”, ka thënë Hajrizi.

E ashensori tjetër, i cili është i paraparë të mbajë peshë deri në 1 mijë kilogram, me gjithë defektet që ka, sipas drejtorit të spitalit, Arsim Emini, është funksionalizuar vetëm për raste urgjente, ndonëse raporti i dalë nga kompania e kontraktuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vlerësimin përfundimtar thotë se për siguri të pacientëve, ai duhet nxjerrë jashtë funksionit.

“Ka pasur rrjedhje të vajit. Kjo ka ndodhur në fund të muajit të kaluar... Një kompani që është e kontraktuar prej Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që ata ta kryejnë inspektimin e prishjes edhe ata ta japin vlerësimin e vet profesional përfundimtar”, ka thënë Emini.

Drejtori i Spitalit tregon se kostoja e rregullimit të tyre ka qenë e papërballueshme, për çfarë kanë kërkuar ndihmë financiare nga SHSKUK-ja.

“Ata na kanë kthyer përgjigje menjëherë me datën 24 dhe kanë ofruar ndihmën financiare dhe na kanë thënë që mund të bëjmë zotimin e mjeteve për blerjen e motorëve. E kemi bërë menjëherë zotimin me datën 24, procedurat janë duke rrjedhur dhe ne po shpresojmë që njërin ta bëjmë funksional nga gjysma e javës së ardhshme edhe tjetrin ta funksionalizojmë deri në fund të javës së ardhshme”, ka thënë Emini.

Sipas drejtuesve të spitalit, kompania e kontraktuar për servisim dhe mirëmbajtje nuk ka pasur në kontratë edhe servisimin e motorëve, pasi që pjesët e tij janë të kushtueshme. Drejtori i spitalit tregon se rregullimi i dy motorëve ka kushtuar 19 mijë e 100 euro.

Ditë më parë pacientët janë ankuar në rrjete sociale se si familjarët e tyre në gjendje të rëndë shëndetësore, i kanë bartur në duar për dy-tri kate lart.