Disa qytetar të komunës së Kaçanikut po e shfrytëzojnë situatën e krijuar të pandemisë për t’i dëmtuar pyjet.
Vetëm gjatë kohës së fundit dhjetëra metra kub me dru janë konfiskuar nga Policia e Kosovës dhe nga inspektorati komunal. Po ashtu janë iniciuar dhjetëra fletëparaqitje. Duke e cilësuar si gjendje alarmante, ekzekutivi i komunës së Kaçanikut ka ftuar në një mbledhje të jashtëzakonshme përfaqësues të Policisë së Kosovës në Kaçanik, përfaqësuesit e drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe përfaqësues të tjerë që ndërlidhen me këtë çështje.
Kryetari i komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, ka thënë për Kohën se ndaj disa personave janë iniciuar fletëparaqitje, mirëpo sërish të njëjtit po i përsëritin veprat e njëjta.
“Këtu kemi pak telashe me drejtësinë sepse kemi persona me dhjetëra fletëparaqitje për dëmtim të pyjeve. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve po shfrytëzohet situata e krijuar për t’i dëmtuar edhe më shumë pyjet. Kjo po ndodh pikërisht gjatë orëve të vona të natës kur të gjithë janë të mbyllur në shtëpi për shkak të situatës. Sot e kemi mbajtur një mbledhje ndërkohë edhe një tjetër e kam ftuar për nesër në mënyrë që të jenë prezent edhe përfaqësues të drejtorisë së parkut nacional në mënyrë që të marrim masa konkrete për parandalimin e dëmtimit të pyjeve”, ka thënë Ilazi. Sipas Ilazit rreth kësaj çështje do të merren masa të ashpra ndaj dëmtuesve të pyjeve, andaj fton qytetarët të kenë kujdes rreth kësaj çështje.
Ndërkohë zyra për informim në këtë komunë nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se kryetari i Komunës Besim Ilazi, së bashku me përfaqësues të grupeve parlamentare të Kuvendit Komunal, me komandantin e Stacionit të Policisë në Kaçanik, Halim Shehu dhe me drejtorin për Bujqësi Fatmir Loku, kanë diskutuar në lidhje me prerjen e pyjeve.
“Në këtë takim u theksua prerja alarmante e pyjeve, ku për këtë temë së shpejti do të dilet me një komunikatë nga institucionet komunale”, thuhet shkurt në njoftim.