Ekspertët e shëndetit mendor kanë kritikuar institucionet e Kosovës se në kohën e përballjes me pandeminë e COVID-19 nuk kanë pasur qasje të veçantë për të parandaluar pasojat psikologjike që mund të vërehen te njerëzit. Sipas tyre, pasojat më të mëdha do të vërehen te të moshuarit dhe fëmijët.
Neuropsikiatri Sami Rexhepi, që ka rreth 40 vjet si profesionist i shëndetit mendor, vitin 2020 e krahason si më të vështirin në aspektin profesional. Ai thotë se asnjëherë s’ka pasur acarim më të madh të sëmundjes te pacientët.
“Përveç se ka ardhur deri te riacarimi i sëmundjes te një numër i madh i klientëve, problemi është se është rritur edhe numri i popullatës që kanë manifestuar shqetësime të ndryshme emocionale. Sido që të jetë në periudhën mars-dhjetor janë nëntë muaj në pyetje dhe për të kuptuar më mirë si ka ndikuar pandemia në popullatën, është si me pas marrë një saq të madh edhe me i shti në saq popullatën. Në një presion të tillë kanë funksionuar. Një pjesë ka arrit në një periudhë kohore me i bë ballë, por me kohën ato forca kanë filluar të zbehen edhe kanë filluar gradualisht të manifestohen edhe shenjat”, ka thënë ai për KosovaPress.
Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor shton se ende popullata është në fazën akute të stresit, por që sipas tij ka pasur presion të madh të popullatës, ngjashëm si në vitet e ’90-ta.
“Tërë kohën një e metë e madhe gjatë kësaj lufte të pandemisë, ka qenë se nuk ka pasur një qasje të veçantë në aspektin profesional të shëndetit mendor. Është bërë një strategji, është punuar se si do të reagojnë, por shumë pak ka pasur. Gjatë kohës së karantinimit, edhe aty shumë vonë jemi organizuar për të ofruar atë pjesën tonë profesionale të shëndetit mendor. Një e metë e madhe është se ende nuk jemi duke menduar për një qasje shumë specifike në aspektin e shëndetit mendor të popullatës, edhe kur kalon pandemia. Jemi në fazën akute të stresit. Në një kohëzgjatje prej nëntë muajve, në një presion shumë të madh, është shumë normale me prit edhe çrregullime kronike të stresit traumatik”, shton Rexhepi.
Rexhepi i konsideron administrative masat anti-COVID që janë vendosur gjatë dhjetë muajve, për çka siç thotë ai ka pasur edhe rebelim të popullatës. Tutje, ai thekson se ka pasur shumë kërkesa për shërbime në këtë qendër.
“Kemi pasur riacarime të klientëve tanë që i mbikëqyrim, mirëpo ka pasur edhe nevojë të popullatës për shkak të çrregullimit të ankthit, çrregullimit të gjumit, frikës intensive. Të gjitha janë këto elemente që janë pasojë e pandemisë”, thotë ai.
Rritje të numrit të rasteve ka pasur edhe në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Doktor Faton Kutllovci thekson se të shumtë kanë qenë personat të cilët kanë manifestuar ankth, depresion e stres.
“Kemi pasur numër të madh të rasteve që kanë kërkuar ndihmë. Kemi pasur shtim të rasteve që kanë kërkuar ndihmë profesionale të shëndetit mendor, personat të cilët kanë manifestuar ankth, depresion, gjendje të reagimit akut, stres. E që kanë pasur për pasojë frikën, gjumin, ankesa të shumta somatike”, thekson ai.
Kutllovci shton se pandemia ka ndikuar që të shtohet numri i rasteve për vizita psikiatrike, ndërkohë thekson se kjo ka ndikuar shumë në ndryshimin e stilit të jetës.
“Ka pasur raste kur na janë bërë pyetjet nga më thjeshtat. Për shembull ‘a guxoj t’i dezinfektoj frutat’, ‘a guxoj ta prek kuletën’, ‘a guxoj të prek drurin, metalin’, bilës edhe ‘a guxoj t’i përqafoj fëmijët e mi’. Dhe kjo mandej ka ndikuar që njerëzit të kërkojnë pastaj informata e shpeshherë tendenca për të siguruar informata të bollshme në lidhje me koronavirusin dhe pasojat e mundshme kanë ndikuar që njerëzit të marrin informata të gabueshme gjë që ka ndikuar në rritjen e nivelit të frikës. Mund të them që në përgjithësi simptomalogji kanë përjetuar të gjithë, por më shumë ata që para pandemisë kanë pasur probleme psikologjike, dhe tani niveli i simptomave është më i madh”, njofton ai.
Kjo periudhë ka ndikuar edhe në rritjen e abuzimit të përdoruesve me duhan, pije alkoolike dhe substanca narkotike. Kutllovci thekson se pritjet janë të mëdha që pasoja të ketë te fëmijët dhe moshat e shtyra.
“Kur një person i ekspozohet një situate që mund të jetë e përjetuar potencialisht në mënyrë traumatike, ai do të manifestojë simptomatologjinë e cila mund të jetë prezente për një periudhë të caktuar. Por, në qoftë se nuk është trajtuar, ajo mund të zgjatet dhe mbi këtë bazë unë mendoj që pasojat për shkak të pandemisë me koronavirusin në aspektin e shëndetit mendor do të jenë prezente edhe gjatë vitit tjetër, por ndoshta edhe gjatë viteve tjera. Sepse, përveç që do të ndërrojë qasjen tonë për jetën, do të ketë komplikime psikologjike sidomos tek moshat e shtyra por edhe te fëmijët”, shton Kutllovci.
Sami Rexhepi e Faton Kutllovci shprehen kritikë ndaj institucioneve, meqë sipas tyre nuk patën prioritet shëndetin mendor. Për këtë bëjnë thirrje që gjatë këtij viti, të kenë për bazë rekomandimet e tyre.