Misini: Autoriteti i Konkurrencës inekzistent, çmimet e naftës në Gjilan e Prishtinë kanë dallim të madh
Profesori Shkumbin Misini e ka akuzuar Autoritetin e Konkurrencës për mospunë, duke thënë se është “inekzistent”.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Misini ka thënë se çmimet për litër të naftës në Gjilan dallojnë dukshëm me ato në Prishtinë.
“Kemi një Autoritet të Konkurrencës që është inekzistent. Po ta shikojmë çmimin e naftës, në Gjilan lëviz shumë çmimi i naftës në raport me atë në pompat e benzinës në Prishtinë. Unë nuk e di a ekziston ky Autoritet i Konkurrencës. Ai duhet ta shikojë këtë diferencimin e çmimeve. Ferizaj e Gjilani janë me një standard pothuajse të njëjtë, pse duhet pasur ndryshim në çmimin e litrës së naftës”, ka thënë ai.
Ai tutje ka vlerësuar se nuk do të ketë ulje të çmimeve nëse vazhdohet të ndiqen politikat e tanishme nga pushteti.
“A do të ketë ulje të çmimeve, nëse i kemi këto politika që po i ndjek kryeministri aktual pa ndonjë plan afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë, do të kemi përsëri rritje të kostos së jetesës”, ka theksuar ai.
Aliu: Rritje çmimesh deri në 300% në disa produkte, s’e ka fajin vetëm qeveria
Njohësi financiar, njëkohësisht edhe profesor në Universitetin e Çekisë, Florin Aliu, thotë se çmimet janë shumë të larta në Kosovë dhe shumë produkte kanë pasur rritje edhe 300% të çmimit.
Megjithatë Aliu thotë se për këtë nuk mund t’i vihet faji qeverisë aktuale dhe sipas tij burimi kryesor për rritjen e çmimeve dhe krizës ekonomike është lufta Ukrainë-Rusi.
“Çmimet janë shumë të larta. Inflacioni që ishte 12% është mesatarja e rritjes. Një produkt që ka kushtuar 1 euro, sot kushton 4 euro, pra shumë produkte kanë pasur ngritje të çmimit për 300% dhe nuk duhet të harrojmë që jemi vendi më i varfër në Evropë. Faji nuk mund t’i atribuohet vetëm qeverisë aktuale sepse e kemi pasur fillimisht situatën me pandeminë e pastaj edhe luftën Rusi-Ukrainë. Nga ato vende kemi importin kryesorë me drithëra dhe vaj luledielli. Rusia është nën sanksione e Ukraina nuk mund t’i shfrytëzojë të gjitha portet. Burimi kryesor i rritjes së çmimeve dhe krizës ekonomike është lufta Rusi-Ukrainë”, deklaroi Aliu.
Tutje sipas Aliut, nuk ka mekanizëm për kontrollimin e çmimeve dhe numri i vogël i inspektorëve pothuajse e pamundëson një gjë të tillë.
Ndërsa, sipas tij, nuk ka rënie të inflacionit por vetëm të tempos së rritjes së çmimeve.
Misini: Vendet e Ballkanit investojnë në bujqësi, Kosova fokus mbushjen e buxhetit
Profesori Shkumbin Misini ka shpjeguar arsyet kryesore pse produktet e prodhuara në Kosovë shpesh dalin më të shtrenjta sesa ato të importuara.
Sipas tij, një faktor vendimtar është tregu i kufizuar, i cili ua pamundëson kompanive vendore që të rrisin prodhimin dhe të ulin kostot.
“Del më shtrenjtë sepse kompanitë prodhuese që e kanë tregun në Kosovë, e kanë një treg shumë të kufizuar,” ka thënë Misini në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Ai shtoi se vendet e zhvilluara apo edhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor sigurojnë shumë më tepër subvencione për sektorin e prodhimit dhe bujqësisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e çmimeve.
Si shembull, Misini përmendi subvencionimin e karburantit për bujqit në rajon.
“Te ne çmimin e naftës e merr sikurse ai që shëtit me veturë, sikurse ai që shkon me traktor dhe e lëvron tokën. Ndërsa në disa vende të Ballkanit Perëndimor taksën e kanë 0 për shfrytëzimin e karburantit për përpunimin e tokës”, ka theksuar ai.
Sipas tij, vendet e zhvilluara investojnë më së shumti në bujqësi, duke e parë këtë sektor si themelor për ekonominë dhe sigurinë ushqimore.
Misini ka theksuar edhe dallimet në qasjen e Shqipërisë, e cila po ndërmerr reforma të thella si rezultat i rekomandimeve të Bashkimit Evropian.
Ai tutje ka kritikuar politikat shtetërore të Kosovës, të cilat sipas tij, kanë qenë kryesisht të orientuara te mbushja e buxhetit, jo te zhvillimi afatgjatë.
“Politikat shtetërore të Kosovës kanë qenë me qëllim kryesor mbushjen e buxhetit. Mbi 70 për qind e buxhetit mbushet nga Dogana. Ne jetojmë sot për nesër, nuk planifikojmë për pasnesër. Pra, inflacionin kohët e fundit e ka prodhuar vetë Qeveria”, është shprehur ai.