Arbëri

Edukimi – masë e domosdoshme për uljen e lindjeve nga nënat e mitura

Foto: Ilustrim

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, në Klinikën e Gjinekologjisë janë regjistruar 12 lindje nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Shifra të larta të rasteve të tilla kanë raportuar edhe spitalet rajonale. 14 vjeçe është nëna më e re që ka lindur në Spitalin e Pejës gjatë këtij viti. Si shkaktarë të këtij fenomeni përmenden moskomunikimi në familje, kushtet ekonomike dhe edukimin

Me foshnjë në duar e gëzim në fytyrë, shumë familjarë u larguan të premten për në shtëpi nga Klinika e Gjinekologjisë. Por, kjo klinikë, që është mjedisi i parë me të cilin takohen të porsalindurit, jo rrallëherë ka përcjellë nëna të mitura.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, këtu janë regjistruar dymbëdhjetë lindje nga nënat nën moshën 18 vjeçe. E sipas drejtorit të këtij institucioni, Jakup Ismajli, gjatë 2021-s, 57 lindje janë kryer nga shtatzënat e mitura. Teksa përmend se pjesa dërmuese e tyre janë të martuara dhe shqiptare, ai ka folur për pasojat psikologjike e fiziologjike të rasteve të tilla.

“Këto shtatzëna nuk janë të përgatitura. Janë disa komplikime; lindjet e parakohshme, pastaj kemi edhe probleme sociale, kemi braktisje të fëmijëve, pastaj kemi probleme psikologjike, sepse nuk janë të pjekura në aspektin psikologjik këto femra për t’u bërë nëna. Komplikimet janë të mundshme dhe janë të shprehura”, ka thënë Ismajli.

Lindje nga nënat e mitura thonë të kenë regjistruar edhe spitalet në qytete tjera. 14 vjeçe është nëna më e re që sivjet e ka sjellë në jetë foshnjën e saj në Spitalin e Pejës. Të tilla lindje, nën moshën madhore, janë edhe tri: 2 prej tyre shqiptare e 2 nga komunitetet pakicë. E gjatë vitit të kaluar, ishin regjistruar 7 raste.

Edhe në Spitalin e Prizrenit, sivjet nga 10 raste, vetëm dy ishin të komuniteteve pakicë. E më 2021-n, nga 38 lindje të nënave të mitura, 28 ishin shqiptare. Po vitin e kaluar, 6 raste i regjistroi edhe Spitali i Vushtrrisë. Teksa lindje të tilla nuk janë raportuar në Spitalin e Gjilanit dhe të Mitrovicës. Gjersa ai i Gjakovës dhe Ferizajt nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHË-s lidhur me këtë temë.

Mungesa e komunikimit në familje, kushtet ekonomike dhe edukimi janë ndër shkaqet që përmend sociologu Jeton Brajshori. Ai ka folur edhe për hulumtimet më të reja në këtë drejtim.

“Zakonisht ne ndoshta edhe në këtë aspekt i kemi diskriminuar minoritetet duke u thënë gjithmonë se martesat e hershme ndodhin vetëm tek ata, mirëpo kohëve të fundit e kemi parë të gjithë ne se po ndodhin edhe te ne. Ndoshta shkaku kryesor të cilin mund ta themi edhe në bazë të disa hulumtimeve të cilat janë bërë, janë edhe pasojat të cilat vijnë nga rrjetet sociale ku fotografitë e ndryshme, klipet e ndryshme që mund të shihen sa i përket internetit dhe mund të shtynë këta të rinj, e i nxisin pra të bëjnë veprime të tilla”, ka thënë Brajshori

Brajshori ka përmendur hapat që do të ndikonin pozitivisht në zvogëlimin e numrit të shtatzënave adoleshente.

“Sensibilizim më i madh i shtetit sa i përket kësaj çështjeje, e cila është duke ndodhur po ashtu të flitet më shumë nëpër shkolla, të ketë komunikim më të madh, më të lirshëm nëpër shkolla, të ketë trajnime të ndryshme, psikologë, sociologë të ndryshëm, ku do të flisnin për këtë gjëra, mirëpo prapë se prapë them se baza është familja, duhet komunikim sa më shumë të ketë brenda familjes”, ka thënë sociologu.

Thirrje në këtë drejtim ka pasur edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.

“Hapi i parë do të ishte futja e lëndës së edukatës seksuale në shkollën fillore dhe të mesme, pastaj t’u jepet hapësirë mediave, gazetave, prindërve, përdorimi i mjeteve kontraceptive, përdorimi i mjeteve të tjera që të mos vijë deri te shtatzënia në këtë kohë nën moshën 18-vjeçare”, ka thënë Ismajli.

Sipas të dhënave të Policisë, nga vepra penale ‘Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet’, gjatë vitit 2021 janë evidentuar 56 raste e sivjet 22.