Arbëri

Edukatorja dyshohet se rrahu një fëmijë në një çerdhe në Prishtinë, prindërit e raportojnë rastin në Polici

Në çerdhen “Cambridge Kids” në Prishtinë dyshohet se një ditë më parë është ushtruar dhunë ndaj një fëmije të moshës 1 vjeç e gjysmë.

Prindi i fëmijës, Berat Gori, ka thënë për “Kohën Ditore” se pasi e ka parë në videoincizime se edukatorja T. G ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij, ai e ka paraqitur rastin në Polici dhe ka kërkuar sqarime nga udhëheqësit e institucionit parashkollor.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti ka bërë të ditur se të hënën në stacionin policor Jugu në Prishtinë është iniciuar një rast “keqtrajtim i fëmijës”.

Sipas saj, në koordinim me prokurorinë përkatëse janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

Institucioni “Cambridge Kids”, nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Ndërkaq, përmes një njoftimi, ky institucion ka bërë të ditur se punonjësja është përjashtuar nga puna ndërsa prindit i është kërkuar falje për rastin.

“Menaxhmenti i kopshtit shpreh keqardhjen dhe indinjatën më të thellë për sjelljen e edukatores në fjalë. Sigurojmë prindin në fjalë dhe të gjithë Juve se sjellje të tilla nuk do të tolerohen asnjëherë në kopshtin tonë. Ky incident na ka goditur më së shumti neve por jemi të përkushtuar me gjithë qenien tonë që të procedojmë dhe me masa të tjera ligjore deri në zbardhjen e rastit dhe marrjen e dënimit meritor për personin e papërgjegjshëm që nuk qëndroj në krye të detyrës edhe përkundër investimit të lartë profesional që Cambridge ka bërë për gjithë stafin, në veçanti edhe për tashmë ish edukatoren”, thuhet në njoftimin e tyre.

Drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në MASHT, Alush Istogu, ka thënë se e dënojnë këtë rast dhe se dhuna nuk ka vend në institucione shkollore.

I pyetur nëse ky institucion parashkollor ka licencë nga MASHT-i, ai ka thënë se nuk e di por që këto të dhëna do t’i ofrojnë të mërkurën.