Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Edhe Shqipëria në krizë për rrymë, 80 për qind e importon

Gati 80 për qind e energjisë elektrike që hidhet aktualisht në rrjet vjen nga importi. Thatësira e tejzgjatur ka shterur nivelin e Fierzës, që të hënën zbriti nën kuotën më të ulët të shfrytëzimit dhe po prodhon me kapacitet minimal.

Sipas KESH, niveli në Fierzë aktualisht është 269 metër. Për të mos lejuar rënien e rezervës, Koorporata po përpunon vetëm prurjet natyrale, prej 20 m3/sek.

Kjo sasi energjie shkon për të mbuluar nevojat e OST-së për ruajtjen e parametrave teknikë dhe humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shumë pak për furnizimin me energji.

Ndërkohë, OSHEE po përgatit një tjetër procedurë për import për muajin gusht, që synon blerjen e 30 mijë megavatë/orë, si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta.

Vetëm për muajin korrik dhe gusht, OSHEE shpenzoi 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Por procedura e re pritet të kushtojë më shtrenjtë, për shkak të periudhës aspak të favorshme të çmimeve në bursë.

Edhe Shqipëria në prag të një krize energjetike Arbëri Shqipëria në prag të një krize energjetike

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se, nëse thatësira do të zgjasë, në muajin shtator vendi rrezikon varësi totale nga importi. Në këto kushte, blerja e energjisë do të tejkalojë mundësitë financiare të OSHEE-së, duke kërkuar deri edhe ndërhyrjen e buxhetit të shtetit.

Por ajo që do të ndihmonte në tejkalimin e vështirësisë financiare është kredia prej 22.4 milionë eurosh e Bankës Botërore që autorizon KESH-in të nisë importin me këtë fond, por që nuk është lëvruar ende nga kjo bankë.