Marigona Rexhepi, një 22-vjeçare nga Ferizaj, ka disa vite që ka filluar të tymos duhan. Edhe pse ka njohuri për dëmet që ia shkakton shëndetit, thotë se e ka të pamundur që ta braktisë.
Ajo beson në mitin se duhani e ndihmon ta kalojë stresin sa herë përballet me të.
“Jam e vetëdijshme për pasojat që t’i sjell, mirëpo është goxha e vështirë të heq dorë. Kam provuar dy-tri herë, mirëpo nuk ia kam arritur, pasi sa herë stresohem, cigarja është e vetmja që më ndihmon. E stresin është goxha vështirë ta menaxhoj në mënyrë tjetër”, ka thënë ajo.
Të rinjtë, Ibrahim Gashi i ka myshterinj kryesorë. Ai është shitës në një kioskë të vogël në kryeqytet dhe ka treguar se interesimi për blerje të cigares vazhdon të jetë i njëjtë ndër vite.
“Duhanin e konsumojnë më shumë mosha e re, kështu që shitet shumë. Tregtia e ka të vetën: pasi që duhani kërkohet, edhe shitet”, ka thënë Gashi.
Edhe
Ish-duhanpirësit që përdorin cigare elektronike më të rrezikuar nga kanceri në mushkëri
Mbështetur në informatat që kanë autoritetet, kosovarët shpenzojnë në blerje të duhanit sa një e dhjeta e buxhetit vjetor.
Ibrahim Tërshnjaku është kryeinspektor sanitar dhe në emisionin “Sot” të KTV-së, ka thënë të martën se brenda vitit qytetarët shpenzojnë rreth 200 deri në 250 milionë euro për blerje të duhanit.
Të martën është shënuar edhe në Kosovë dita botërore pa duhan. Në aktivitetet e organizuara për këtë ditë janë dhënë mesazhe dhe këshilla kundër konsumimit të tij. Këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë e realizon fushatën që për synim ka ndërgjegjësimin e publikut për ndikimin mjedisor të duhanit, nën sloganin “Duhani – kërcënim për mjedisin tonë”.
E, pulmologu Flamur Marku flet për kërcënimin e shëndetit nga thithja e tymit të duhanit. Ai thotë se të kërcënuar janë edhe ata që nuk janë konsumues, por qëndrojnë në ambiente të mbyllura ku duhani pihet.
“Duhanpirja pasive shkakton dëme të shumta në rrugët e frymëmarrjes, dhe shfaq simptoma (kollitje me sekret të shtuar, lodhje, pengesë në frymëmarrje, rënie të nivelit të saturimit të oksigjenit në gjak) të sëmundjeve të mushkërive që njihen si ‘sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive (COPD)’ apo edhe përkeqësim të gjendjes te pacientët që më herët janë diganostikuar me këtë sëmundje. Po ashtu, rrit rrezikun e shfaqjes së kancerit të mushkërive apo edhe të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, e edhe shfaqjen apo përkeqësimin e sëmundjeve të zemrës”, ka thënë pulmologu Marku.
Sipas këtij pulmologu, kategoria më e rrezikuar e duhanpirësve janë ata me sëmundje kronike. Por, ka thënë se imunë nuk janë as moshat e reja, e sidomos ata që kanë histori familjare me sëmundje kronike të mushkërive.
Edhe
Trefishohet numri i nxënësve duhanpirës në Kosovë
Gjatë një tryeze diskutimi, të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), janë dhënë zotime për realizim hulumtimesh që ndihmojnë në hartimin e politikave për ruajtjen e shëndetit nga duhani.
“IKSHPK-ja do të vazhdojë edhe më tutje të realizojë hulumtime si GYTS, STEPS dhe të tjera relevante, që të sigurojë evidencë mbi bazën e të cilave mund të ndërmerren intervenime dhe të hartohen politika për ruajtjen e shëndetit të popullit”, ka thënë në këtë tryezë Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.
Gjatë tryezës, IKSHPK-ja ka prezantuar edhe gjetjet e një hulumtimi mbi rezultatet që ka dhënë Ligji për kontrollin e duhanit.
Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë, ka përmendur disa nga efektet e ligjit.
“Siç tregon edhe hulumtimi gjithëpërfshirës i duhanpirjes te të rinjtë GYTS II, ... në mesin e rinisë së moshës 13-15 vjeç, konsumi i duhanit nga 6.7% sa ishte para hyrjes në fuqi të ligjit, kishte rënë në 4.4% më 2016, derisa duhanpirja pasive ishte përgjysmuar, nga 84% në 43%”, ka thënë ajo.
Por, statistika të këtilla nuk janë vërejtur edhe në kioskën e Ibrahim Gashit, i cili thotë se myshterinj më të mëdhenj për duhan i ka të rinjtë.
Edhe
BE-ja drejt rishikimit të ligjeve për duhanin e nikotinën, në Kosovë ka rezistencë
“Nuk vërehet ndryshim nga viti në vit, se a ka shitje më shumë apo më pak. Përafërsisht, ndoshta 10% herë më shumë e herë më pak”, thotë ai.
Mbështetur në të dhënat që janë prezantuar në tryezën e IKSHPK-së, pirja e duhanit është shkaktare kryesore e sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme.