Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

E nevojshme, por e pamundur, po konsiderohet ideja për front të përbashkët të opozitës

Foto: Koha / Arkiv

Po cilësohet si e pamundur ideja e një fronti të bashkuar opozitar. Profesori universitar Dorajet Imeri ka thënë se partitë opozitare janë më shumë në garë me njëra-tjetrën, për të dëshmuar veten si opozita e vërtetë. Në AAK kanë thënë se opozita ka nevojë të bashkohet, por janë shprehur skeptikë që kjo mund të ndodhë. E kundër kësaj ideje janë kategorikë në LDK.

Ideja që e pati propozuar deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, para disa muajsh që opozita duhet të organizohen si një front i bashkuar, për të qenë më të zëshëm dhe më efektivë karshi partisë në pushtet, nuk po gjen mbështetje nga kolegë të tij të opozitës.

Profesori universitar Dorajet Imeri vlerëson se pengesë për një opozitë të bashkuar është se partitë opozitarë janë në garë me njëra-tjetrën për të dëshmuar se cila është opozita e vërtetë.

“Mundësia për të pasur një front të veçantë opozitar nga parti politike që kanë dallime kaq të theksuara, qofshin ato ideologjike ose programore ose edhe parti politike që janë në proces të ribrendimit të tyre, tregojnë se janë pothuajse të pamundura. Partitë politike opozitare janë në një proces për të dëshmuar se cila është partia më e rëndësishme opozitare dhe pastaj duke qenë se ka një garë në mes të partive se kush është më opozitë, mundësia për të pasur një front të përbashkët është pothuajse e pamundur”, ka thënë Imeri.

KOHA ka kontaktuar zyrtarë të Partisë Demokratike për të marrë një qëndrim të tyre lidhur me idenë, e cila ditëve të fundit është bërë temë në opinionin publik, por nuk ka marrë përgjigje.

Në AAK kanë thënë se rrethanat e krijuara politike duhet të nxisin partitë opozitare drejt një bashkëpunimi më konkret dhe më të mirëfilltë.

“Nuk duket se ka as interesim e as gatishmëri për krijimin e ndonjë blloku apo fronti opozitar. Opozita në këtë mandat ka vazhduar të jetë e parcializuar, e do të duhej të ishte më e koordinuar, vlerësoj unë. Secila prej partive opozitare është autonome në veprimet e saj dhe vendos vetë se si do të bëjë opozitë. Por kompleksiteti dhe rëndësia e temave me të cilat po përballet vendi dhe qasja që ka Qeveria ndaj tyre, e shtrojnë nevojën e një veprimi më të unifikuar të opozitës, që fatkeqësisht nuk po ndodh”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Edhe Tahiri kërkon bashkim opozitar, Abdixhiku fton për projekt politik pa opozitën Arbëri Tahiri kërkon bashkim opozitar, Abdixhiku fton për projekt politik pa opozitën

I pari që e hodhi poshtë këtë ide ishte kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një LDK të fuqishme, e jo për një opozitë të bashkuar.

“Ne jemi parti të ndryshme. LDK-ja nuk ka lidhje me PDK-në dhe AAK-në, e aq më pak me parti të tjera joparlamentare. Ne kemi identitetin tonë politik, veprues dhe ideologjik. Bashkëpunimi opozitar është për shkak të natyrës që gjendemi politikisht, jo për shkak të bindjeve të njëjta ideologjike apo programore. Kosovës nuk i duhet front i përbashkët opozitar. Kosovës i duhet një LDK e fuqishme”, ka thënë Abdixhiku.

Thirrje për koordinim më të mirë të opozitës kanë bërë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ndërsa kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se Abdixhiku po bëhet më i dëgjueshëm karshi Kurtit.