Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

E fejuara e djalit të Lladrovcit, drejt punësimit në ministrinë e drejtuar nga PDK

E fejuara e Lapidar Lladrovcit, djalit të kryetarit të komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, është në rrugë për t’u punësuar në Ministrinë e Drejtësisë.

KALLXO.com ka pranuar një raportim në të cilin shihet se Arlinda Alshiqi është në listë të ngushtë për t’u punësuar si zyrtare ligjore në këtë ministri.

Konkursi ishte shpallur me 5 janar 2018, ndërsa rezultatet kanë dalë më 20 shkurt 2018. Sipas listës së publikuar nga Ministria e Drejtësisë, Arlinda Alshiqi është e treta në listë me 72% të pikëve.

Ministria e Drejtësisë për momentin udhëhiqet nga Abelard Tahiri që vjen nga PDK-ja, nga ku vjen edhe vet Lladrovci.

Ministri Tahiri i ka thënë se nuk është i njoftuar për punësimin e Alshiqit pasi, sipas tij, ai nuk di kush janë emrat e kandidatëve.

“E di që ka qenë një proces rekrutimi për 3 zyrtarë në Ministri, tash jemi në fazën e ankesave. E di që ka edhe ankesa dhe jemi duke pritur çka po kthen këshilli mirëpo sinqerisht t’ju them nuk e di kush janë punësuar e as nuk ua di emrat”, tha Tahiri.