Në pritje të rezultateve të mostrave të marra në katër qytete janë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas dyshimeve të ngritura për shpërndarjen e gripit të shpezëve. Për të marrë masat për parandalimin e shpërndarjes së tij, nga AUV kanë thënë se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe se nuk ka nevojë për panik.
Me shpërndarjen e një virusi të ri rrezikon të përballet vendi ditëve në vijim. Bëhet fjalë për gripin e shpezëve, e për verifikimin e të cilit Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është duke pritur rezultatet e mostrave të marra nga katër qytete.
Megjithëkëtë, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë se nuk ka nevojë për panik.
“Aktualisht ne i kemi marrë mostrat në katër ferma jokomerciale, ferma familjare në katër qytetet të ndryshme dhe këto mostra janë ende në testim e sipër dhe pa marrë konfirmim për llojin dhe tipin e virusit ne nuk mund të japim informatën se cili është ai”, ka thënë ai.
Sipas Thaçit, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për parandalimin e përhapjes së këtij virusi
Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kanë treguar po ashtu që nga fermat kanë kërkuar që të ndalohet lëvizja e shpezëve.