Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dyshime për kërcënime ndaj sigurisë së Bashës

Në Shqipëri dyshohet se ndaj drejtuesit të opozitës Lulzim Basha ka pasur sinjale për kërcënime serioze të sigurisë së tij. Ky fakt i cili qarkulloi në media u konfirmua mbrëmë nga presidenti Bujar Nishani gjatë një intervistë për emisionin “Arena” në televizionin “Ora News”. “Fakti i sigurisë të liderit të opozitës mund t’ju them vetëm këtë (nuk mund të hyj sot në detaje, sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend”, u shpreh presidenti Nishani.

Mediat në Shqipëri kanë folur për një skenar të jashtëm, i cili synon destabilizimin e vendit, me pasoja në rajon, në një moment tensioni të lartë politik, kur opozita prej 8 javësh po proteston përpara zyrave të kryeministrisë për të kërkuar një qeveri teknike e cila do të garantonte sipas saj zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor. Në këtë linjë ka folur edhe presidenti Nishani kur u pyet për këtë çështje. “Siguria e aktorëve kryesor politik sidomos në situata shumë të tensionuara politike që mund të eskalojnë në tensione sociale, është një element shumë serioz. E dyta, asnjëherë nuk duhet të neglizhojmë faktin që nuk kemi vetëm miq, por ka edhe mjaft aktor të cilët punojnë dhe synojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë, për të destabilizuar rajonin”, deklaroi kreu i Shtetit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fakt është që prej disa ditësh masat e sigurisë për zotin Basha janë përforcuar me trupa dhe mjete shtesë, ndërkohë që ka rënë në sy se dhe kreu i opozitës ka ndryshuar rutinën e lëvizjeve të tij të zakonshme. Vetë zoti Basha nuk është shprehur për këtë çështje, sikundër dhe nga autoritetet nuk ka patur ndonjë prononcim.