Për ta dobësuar ndikimin e Listës Serbe te serbët e Kosovës, janë bërë bashkë Partia Progresive dhe Partia e Re e Kosovë.
Koalicioni i tyre “Sloboda”, në shqip “Liria”, që udhëhiqet nga Nenad Rashiq, ka për prioritet fuqizimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Teksa e ka dorëzuar koalicionin në KQZ, Rashiqi ka thënë se janë të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë ta mundin Listën Serbe, raporton KTV.
“Nuk do të jetë e lehtë të mundim Listën Serbe, sepse ata nuk janë vetëm një subjekt politik lokal. Ata kanë sponsorizues shumë të fuqishëm, të cilët përdorin të gjitha metodat e mundshme, jo vetëm financiare. Ju kam thënë edhe më herët, ata përdorin shantazhin, kërcënimet dhe dhunën fizike”, ka thënë Rashiq.
Por, serbët në Komunën e Graçanicës thonë se janë lodhur nga premtimet e pambajtura të partive politike.
Shumica e banorëve të Graçanicës kanë thënë se nuk do të dalin në zgjedhje, pasi që janë lodhur nga premtimet boshe, megjithatë, nuk kanë dashur të deklarohen, por të rrallë janë ata që kanë thënë se do të dalin të votojnë Listën Serbe.
Përndryshe, Lista Serbe e ka përkrahjen e plotë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.