Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, thotë se tash Presidenti Hashim Thaçi duhet t'i shkruajë dy letra.
“Letra e parë është njoftim për udhëheqësit e PMB se e njeh vullnetin e shqiptarëve të shprehur me 1 e 2 mars 1992, luftën e drejtë çlirimtare të UÇPMB-së dhe kundërshton shtypjen politike, shfrytëzimin ekonomik dhe diskriminimin kulturor nga Serbia mbi Kosovën Lindore. Në fund të kësaj letre Thaçi duhet t'i ftojë udhëheqësit politikë e institucional të PMB për nënshkrim të marrëveshjes”, ka shkruar Aliu në Facebook, referuar letrës së parë që Thaçi duhet ta shkruajë.
Letra e dytë e Thaçit si President i Republikës, sipas Aliut, duhet të jetë për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku e njofton atë me vullnetin e tij si President i Kosovës dhe kërkon që Serbia ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës, si dhe ta pranojë bashkimin e Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës.