Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se është fat i madh që Zvicra ka arritur të demaskojë shërbimin sekret serb në rastin Dick Marty.
“Fatbardhësisht, organet zvicerane, të shërbimit sekret kanë funksionuar dhe e kanë detektuar me kohë. Është fatbardhësi e madhe shumë, është një lajm jashtëzakonisht i mirë për ne, që Marty është gjallë e mirë dhe është në mbikëqyrjen e rreptë të sigurisë së shtetit zviceran. Dhe tentimet më pastaj që ta mohojnë një gjë të tillë – u demantuan”, ka thënë Dugolli në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka shtuar se rasti i Dick Martyt është një rast eklatant, që tregon që Serbisë nuk i ka mjaftuar raporti i Martyt kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ka dashur ta likuidojë.
“Ky rasti i fundit me Dick Martyn është një rast eklatant, i përzierjes apo i veprimtarisë së shërbimit sekret serb, i cili tash ka shkuar një hap ma larg sa që ka tentuar që përveç se të kryejë krim, ta asgjësojë apo likuidojë senatorin Dick Marty, të implikojë Kosovën edhe në rrafshin diplomatik. Sepse dëmi që i është bërë Kosovës, luftës çlirimtare të Kosovës nuk i ka mjaftuar”, ka thënë tutje Dugolli.
Shteti i Zvicrës në fund të 2020-s kishte njoftuar senatorin Marty se është i kërcënuar për jetë dhe se shërbimi sekret serb po përpiqet ta vrajë e t’ia hedhë fajin kosovarëve. Lajmi u bë i ditur javën e shkuar nga televizioni RTS në Zvicër që pati intervistë ekskluzive me Martyn, që tregonte për kushtet nën masat e rrepta të sigurisë qe më shumë se 16 muaj.