Arbëri

Dugolli e quan problematik deklarimin e Escobarit për Kosovën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bujar Dugolli, e ka quajtur problematik deklarimin e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që të enjten foli mbi qasjen e Kosovës në dialog.

Dugolli tha se konstatimi i Escobarit se “një vend prej një milion e gjysmë nuk do të mund ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që t’i ndryshojë taktikat”, është problematik pasi sipas tij, në shekullin njëzetenjë “drejtësia nuk do të duhej të matej me madhësi e fuqi”.

“Escobar paska thënë se nuk mundet një popull me 1.5 milionë banorë të ndryshojë taktikat e komunitetit transatlantik prej 700 milionësh! Në vetvete ky konstatim është bukur problematik sepse në shekullin njëzetenjë, e drejta dhe drejtësia kurrë nuk do duhej të matej me madhësi e as me fuqi”, ka shkruar deputeti i partisë në pushtet.

I dërguari i SHBA-së është shprehur se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak gëzon besimin e plotë.

“Lajçak gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës”, ka thënë Escobar.