Arbëri

Dritan Abazoviq zgjidhet kryeministër i Malit të Zi: E ardhmja jonë është evropiane

Politikani shqiptar nga Ulqini, Dritan Abazoviq, është zgjedhur kryeministër i ri i Malit të Zi.

Ai dhe Qeveria që do të udhëheqë është votuar të enjtën mbrëma.

Për Qeverinë e re, votuan 45 deputetë nga 81 sa i ka Kuvendi i Malit të Zi.

Qeveria e re e Malit të Zi, është e 43-ta dhe pasardhëse e asaj që u shkarkua më 4 shkurt, e ku Abazoviq ishte zv.kryeministër.

Në Qeverinë e re të pakicës, ai do të udhëheqë Qeverinë të cilën do ta përbëjnë edhe Partia Popullore Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ri do t’i ketë 18 ministri dhe katër zëvendëskryeministra. Në Qeverinë e re të Malit të Zi, do të jenë edhe dy ministra shqiptarë.

Marash Dukaj do të jetë ministër i Administratës Publike, kurse Fatmir Gjeka, ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve.

Abazoviq tha në fjalimin e tij të enjten se ai dëshiron të bashkojë fraksionet kundërshtare të Malit të Zi nën një vizion të "një kombi demokratik, pa korrupsion dhe ekonomikisht të begatë që do të bëhet pjesë e BE-së 27-anëtare"

“Ne kemi një mundësi përpara nesh që nuk duhet ta humbasim”, tha Abazoviq. “E ardhmja jonë është evropiane”.

Pak minuta pas zgjedhjes së Abazoviqit ka reaguar shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Në një deklaratë në Twitter, Borell e uroi zgjedhjen e Qeverisë së re.

"Presim me padurim punën tonë të përbashkët për përparim në rrugën drejt BE-së. Mali i Zi është një partner i besueshëm, i përafruar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së", ka shkruar Borell.

Gjatë ditës së enjte, u zgjodh edhe presidentja e Kuvendit, Daniela Gjuroviq.