Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur mbledhje ku ka raportuar edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Deputeti Shemsedin Dreshaj ka bërë apel që specializimet të mos ndodhin siç ka ndodhë deri tash çdo 4-5 vjet.
Ai ka thënë se lista e pritjeve në SHSKUK është e dhimbshme, duke shtuar se e dhimbshme është edhe Lista Esenciale.
Dreshaj ka shtuar se me buxhet të reduktuar të gjitha këto probleme nuk do të kenë mundësi të përmirësohen.
Ministri Rifat Latifi ka thënë se nëse duan t’i përgatisin specializantët “ata duhet me dalë prej oborrit tonë”.
Sipas tij, nëse nuk përgatiten specializantët në Zvicër, Gjermani, Slloveni Kroaci dhe në vendet tjera, ai shton se nuk kanë bërë shumë punë.
“Edhe specializimet edhe Ligjit për Shëndetësi që na mundëson riorganizimin në këtë gjigand të fjetur do të punohen paralelisht. E lexova një artikull të vitit 2008 me titull : A mund të reanimohet shëndetësia në Kosovë? Tash ja boj pyetjen e njëjtë por tash besoj që mundet”, ka thënë ai.
Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se lista e pritjes është rritë edhe për diagnostikë në SHSKUK.
“A ka llogaridhënie të bordit pasi që ata i raportojnë ministrit? A do të vazhdoni me ketë bord të dështuar? Ky bord përveç që i ka venë në lajthitje qytetarët i ka venë në lajthitje edhe krerët e shtetit kur e kanë pre shiritin për spitalin pediatrik të fëmijëve. Është koha për veprim që ta shkarkoni ketë bord të papërgjegjshëm të SHSKUK? Pyetja e dytë, a do të vazhdoni me modelin aktual të sistemit të informimit shëndetësor? Sa do të jetë paga e një profesionisti shëndetësor? Sa prej vaksinave të pranuara nga Gjermania dhe Kroacia janë administruar e sa kanë skaduar?”, ka pyetur ai.
Ministri Latifi ka thënë se kanë ndarë buxhet për të bërë një studim për Sistemin e Informacioneve Shëndetësore.
“Është buxhetuar ka me u bë një studim për SISH. Ka diçka të mirë në SISH, programi i vaksinimit, që po funksionojnë mirë. E kam kriju një grup të madh të Ligjit për Shëndetësi. Mos të ndërrohet sa herë ndërron ministri. Prej Gjermanie nuk kemi marrë vaksina. Prej Kroacisë janë përdorë besoj. Listat e pritjes është një problem shumë i madh. Në disa degë ka listë me të gjatë diku ma të shkurtë. Me listat e pritjes prin ortopedia. Problemet janë të ndryshme pse presin. Njëra është mungesa e sallave dhe mungesa e materialëve. Për spitalin e pediatrisë e kam marrë vet përsipër me udhëheq atë proces dhe po shkon shumë mirë. Jam optimist që deri në fund të muajit ka me u bë”, ka thënë ai duke shtuar se çështjen e bordit janë duke e analizuar. “Jemi tu e analizu. Tash unë nuk mundem me ju thanë çka kemi me bo me drejtor te bordit. Në duhet me u marrë me statutin. Do të merremi me të (bordin v.j) seriozisht”.